Arbnor Fejzullahi do të jetë lojtari më i ri Xamax në Superligën Zviceriane. Mbrojtësi nga Presheva firmosi me skuadrën e sapongjitur në Superligën e Zvicrës një kontrate një vjeçare, duke u bërë një ndër përforcimet më të rëndësishme të merkatos verore për këtë skuadër.

Fejzullahi kaloi një periudhë prove prej 3 ditësh tek Xamax dhe kualiteti që ai tregoi në fushën e lojës ra menjëherë në sy te klubit zvicerian. Kjo periudhë prove erdhi pas dyshimeve të klubit për shkak të dëmtimit 7-mujor që pati ish mbrojtësi i Partizanit në sezonin që sapo u mbyll.

Kjo është aventura e parë e Fejzullahit jashtë Shqipërisë pasi më parë në karrierën e tij është aktivizuar 3 sezone tek Besa e Kavajës edhe 4 sezone me Partizanin e Tiranës, por në përfundimin e këtij sezoni ai refuzoi të rinovonte kontratën me të kuqtë duke zgjedhur një aventurë në një kampionat më të fortë.

Për Fejzullahin gjatë kësaj merkatoje veç ofertës së Partizanit, kishte një ofertë konkrete nga Shkëndija e Tetovës, si dhe ishte deri pak ditë më parë në fokusin e Levskit të Sofjes, por besimi i treguar nga klubi i Xamax dhe dëshira për të vazhduar karrierën në Zvicër, bëri që 25-vjeçari të vazhdojë karrierën në shtetin helvet.