Kristiano Ronaldo nuk është aspak i lumtur te Juventusi dhe çdo ditë e më shumë po mendon të largohet. Në 3 sezone, portugezi ka shënuar shumë por pa mundur të lërë gjurmë në Europë dhe Ronaldo nuk dëshiron ta shohë veten midis stolit dhe fushës por dëshiron të jetë protagonist në çdo skuadër ku luan.

Ardhja e Maks Alegrit nuk ka ndryshuar asgjë në bindjet e portugezit, për më tepër që tekniku italian do të vërë në qendër të projektit të tij lojtarë si Dibala, Kieza e Kulusevski. Sipas gazetës spanjolle ‘’AS’’, Ronaldo po mendon të trokasë përsëri në derë të Real Madridit.

Ulja në stolin e madrilenëve e Karlo Ançelotit do t’ia bënte dhe më të thjeshtë situatën pasi Ronaldo njihet për raportin e mirë që ka me teknikun italian. Por ky transferim mbahet peng nga e ardhmja e një tjetër sulmuesi, Kilian Mbape. Francezi ka kohë që dëshiron të transferohet në Madrid, por kostoja e madhe e operacionit ka bërë që Perez të frenohet. Nëse Mbape nuk transferohet te Reali, atëherë rikthimi i Kristiano Ronaldos do të jetë i sigurt.