Nga Ada në vite kanë dalë shumë lojtarë cilësorë të cilët e kanë patur këtë skuadër si “trampolinë” për të kaluar në ekipe të tjera, madje edhe të Superligës por edhe në ekipet kombëtare. Shumica e tyre kanë qenë futbollistë shkodranë të cilët duke mos gjetur hapësirë te Vllaznia, kanë luajtur fillimisht tek Ada e më pas kanë kaluar në ekipe të tjera.

Por futbollisti i rradhës që po spikat është “velipojak puro”. Bëhet fjalë për Ardi Frroku, një sulmues që po shënon rregullisht për Adën gjatë këtij sezoni dhe është ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit të kategorisë së dytë.

Listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit për grupin A e kryeson Rigers Balliu i Ilirisë me 7 gola, ndërkohë që në vend të dytë është Ardi Frroku i Adës me 6 gola.

Ai ka luajtur në 7 ndeshje deri më tani dhe me këtë numër golash, duket se ka një mesatare shumë të kënaqshme prej 0.85 golash për ndeshje, ose ndryshe Frroku ka një gol të shënuar në çdo 95 minuta lojë. 24 vjeçari ka bërë gjithçka mirë deri tani duke shënuar dhe i dhënë jo pak pikë Adës.

Por gjatë kësaj periudhe, në adresë të tij kanë filluar të vijnë edhe oferta të ndryshme të cilat bëhen të ditura edhe nga trajneri Admir Mehja, por vetë Frroku duke folur në lidhje me këtë çështje është shprehur:

“Unë futbollin e kam pasion dhe e luaj për këtë arsye. Po luaj me shumë kënaqësi për Adën e Velipojës, këtu e kam nisur futbollin dhe këtu do ta mbyll karrierën”./SHKODRA-SPORT.COM/