Këto javë të fundit janë shumë vendimtare për Partizanin, pasi do të përballet me disa nga rivalët më të fortë, çka do të jetë njëfarë përcaktuesi i forcës së ekipit të Kolelës. Në fakt, në provën e parë dështuan, sepse Tirana i mposhti, por nesër ndaj Vllaznisë kanë shansin të rikuperojnë një pjesë të mirë të dëmeve.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka folur një nga ishliderët dhe lojtarët më të mirë të pas viteve ‘90-të te Partizani, Ardit Beqiri. Ish-kapiteni, qartësisht i mërzitur për humbjen në derbi, evidenton disa gabime të skuadrës dhe thekson se trajneri Kolela duhet të marrë përgjegjësinë. Beqiri shprehet se derbi është një matës i forcës së Partizanit dhe shton se sfida e nesërme me Vllazninë nuk ka favoritë.

Të premten luajnë dy nga ish-ekipet tuaja, cili mes Partizanit dhe Vllaznisë ju duket më favorit?

Për mua është më shumë se e barabartë, nuk e di se kush mund ta bëjë diferencën në këtë sfidë. Partizani po shkon në një fushë, që nuk po kalon ndonjë moment shumë të mirë, Vllaznia do të ketë edhe presionin e tifozëve të vetë. Këto janë elemente që mund ta ndihmojnë Partizanin, por këtë ndeshje e shoh të barabartë fare. Janë aty-aty.

Pra, nuk mendoni se Vllaznia mund të përfitojë nga gjendja e krijuar pas derbit te Partizani?

Jo, Vllaznia ka hallet e veta. Nuk e beson dot suksesin te gjendja e Partizanit. Duhet të zgjidhë problemet e veta njëherë.