Ardit Hoxhaj ka zhvilluar në fundjavë ndeshjen më të mirë të karrierës së tij futbollistike. Sulmuesi anësor realizoi katër gola në ndeshjen kundër Skënderbeut, një prej ish-skuadrave të tij, duke ndihmuar Vllazninë të fitonte me shifrat 5-1 dhe të vazhdonte fluturimin në kreun e renditjes.

Një arritje jo e vogël për lojtarin që duket se ka rritur oreksin e tij, siç shpjegoi vetë Hoxhaj në një intervistë për “Sport Magazine”, pasi tani që kryeson renditjen e golashënuesve të Superiores, shpreson që të shënojë edhe më shumë në këtë edicion.

“Nuk e kisha menduar që do të shënoja 4 gola kundër Skënderbeut, është e vështirë të mendosh një rezultat 4-0 dhe jo më të shënojë 4 gola i njëjti lojtar. Do të isha shumë i lumtur të ishin dhe tifozët. Objektivi im që në fillim ka qenë të ndihmoj ekipin, është pozitive të shënoj gola. Por tani pse jo, do ta synoj.

Objektivi i parë është me ekipin, të kapim kupat e Europës. Objektivi im personal është, pse jo, të shënoj 10-15 gola. Është krijuar një harmoni shumë e mirë në ekip dhe mendoj se ky është çelësi i rezultatit”, tha Hoxhaj. /vipsport/