Elbasani konsiderohet si skuadra që është “blinduar” nga afrimet e verës dhe ka hedhur kandidaturën për t’u ngjitur sezonin e ardhshëm në Superiore. I fundit nga emrat “big” që është bashkuar me elbasanasit është edhe sulmuesi vlonjat, Ardit Hoxhaj, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” e konsideron si një sfidë për të gjithë që të dërgojnë këtë skuadër në Superiore.

“Këtë zgjedhje që kam bërë e shoh si një sfidë të madhe që na pret të gjithëve, si lojtarë dhe qytet, për t’u ngjitur në Superiore”, u shpreh fillimisht ish-sulmuesi i Vllaznisë. Më tej, ai flet edhe për ardhjen e tij në Elbasan dhe zbritjen një kategori më poshtë, në një kohë që nuk i kanë munguar interesimet e ekipeve të tjera nga elita. Hoxhaj thekson se nuk është stepur aspak të luajë në Elbasan.

“Duke parë kontigjentin e lojtarëve, emrin e trajnerit, si dhe presidencën që më duket mjaft korrekte, me ide dhe projekt serioz, përpos emrit që ka Elbasani në kampionatin shqitar, nuk jam stepur aspak që të bëj këtë zgjedhje. Kam refuzuar disa ekipe në Superligë, ku edhe dua t’i falenderoj për dyert që m’i kanë hapur”, vijoi më tej sulmuesi më i ri i Elbasanit.

GARANCIA – Hoxhaj iu është bashkuar këtë sezon verdhebluve, që ka në përbërje shumë emra të mëdhenj, të cilët i kanë dhënë edhe tonin futbollit shqiptar vitet e fundit. Sipas tij, kjo është një garanci më e madhe për të arritur objektivat. “Absolutisht emrat që janë aktualisht në skuadrën e Elbasanit kanë lënë gjurmë në Superligë. Kjo është një garanci shumë e madhe për të arritur atë që ne kemi objektiv”, theksoi në vijim vlonjati.

Sa i përket startit të kampionatit, ku elbasanasit do të kenë menjëherë dy kundërshtarë rivalë si Kastrioti dhe Vora, Hoxhaj pohon se detyra e tyre është të punojnë fort dhe t’i bëjnë një nisje të mbarë, duke larguar euforizmin në deklarata. “Unë mundohem gjithmonë të mos jem euforik në deklaratat e mia. Ne kemi për detyrë të punojmë mirë këto kohë dhe adaptohemi mirë me njëri-tjetrin. Pastaj uroj që të bëjmë një nisje sa më të mirë në kampionat”, përfundoi sulmuesi më i ri i Elbasanit, i cili shihet si një pikë e rëndësishme në ekipin që drejtohet nga Nevil Dede.