I rritur tek Akademia Vllaznia, Ardit Hoxhaj prej dy sezonesh po jep kontributin e tij tek Veleçiku. Mbrojtësi shtatëlartë në çdo ndeshje që aktivizohet mundohet të japë më të mirën e tij. 21 vjeçari ka pranuar të japë një intervistë për “Shkodra Sport” ku ka folur për karrierën e tij të deritanishme por ka folur edhe për të ardhmen. Ndiqni më poshtë intervistën e tij:

-Si ka lindur dashuria juaj për futbollin dhe kur filluat të luanit futboll për herë të parë?

Jam rritur në një familje tipike shqiptare, ku të gjithë e kanë dashur gjithmonë futbollin dhekjo gjë më përfshiu dhe mua shumë shpejt. Pra gjithmonë kam qenë i apasionuar pas futbollit dhe që i vogël kam qenë tifoz i zjarrtë i Milanit. Kjo ndikuar dhe nga vëllezërit e mi, që ishin të gjithë milanista. Kam filluar të luaj futboll si çdo fëmijë që në moshë relativisht të vogël, 4-5 vjeç nëpër rrugica dhe pastaj fillova të përfshihem nëpër aktivitete të ndryshme sportive.

-Cila është ndeshja juaj e parë si profesionist dhe çfarë kujtimi keni nga ai moment?

Ndeshja ime e parë si një profesionist ishte ajo ne mes “Vllaznia B” kunder “Tiranes B” në 2016, kur ihsa pjesë e ekipit të Vllaznisë B. Dihet që kjo ndeshje ka gjithmonë një tension te veçantë dhe në këtë rast ishte si një derbi i vogel, që përfundoi me rezultatin 2-0 në favorin tonë. Ishte një ndeshje që sigurisht do të mbesë gjithmonë në memorien time sepse ishte hera e parë për mua që luajta përballë tifozërisë shkodrane si dhe ishte hapi i parë për të realizuar ëndrrën time më të madhe.

-Sa kohë i dedikoni futbollit gjatë një rutine të zakonshme ditore?

Sigurisht që pjesa më e madhe e një dite i dedikohet futbollit. Përveç stërvitjes me ekipin frekuentoj dhe palestrën si dhe stërvitje individuale. Por përpiqem që gjithmonë të kem kohë për të kaluar edhe me shoqerinë dhe familjen.

-Pas një paraqitje jo dhe aq pozitive në ndeshjen tuaj të parë në këtë sezon duket se e humbët vendin e titullarit, por u rikthyet fuqishëm në fillim të këtij muaji duke shënuar golin e fitores të ndeshjes se luajtur ne Peqin ndaj Shkumbinit. Si u ndjetë pas këtij momenti?

Dëmtimi që pësova në fundin e sezonit të kaluar më ka penguar shumë dhe kjo mendoj se ishte arsyeja e paraqitjeve jo dhe aq të mira, por me stërvitje intensive vijnë edhe rezultatet dhe kështu ndodhi edhe me mua. Jam shume i lumtur që shënova golin tim të parë për këtë sezon dhe gjithashtu goli ishte i rëndësishëm edhe për ekipin sepse na dha 3 pikëshin në një fushë të vështirë si ajo e Peqinit.

-Si iu duket ecuria e ekipit deri tani dhe cilat janë objektivat e Veleçikut në këtë kampionat?

Pas nje starti të dobët nga ekipi jonë erdhi edhe kthesa dhe u bënë disa ndeshje ku kemi marrë rezultate mjaft të mira. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të ekipit tonë, por dhe të ekipeve të tjera do të thoja se synimi për të përfunduar në 4-shen kryesuese të tabelës do të ishte nje rezultat i kënaqshëm për ekipin tonë.
Intervistoi: Kristjan ÇARKU