Katër gola në një ndeshje dhe pikërisht kundër Skënderbeut. Bëhet fjalë për sulmuesin vlonjat të Vllaznisë, Ardit Hoxhaj, i cili ishte protagonist në atë fitore 5-1 të kuqebluve në javën e 11-të të Kategorisë Superiore.
Në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, sulmuesi i kuqebluve ka treguar emocionet që ka përjetuar pas suksesit me Skënderbeun, si dhe ka shpalosur objektivat për të ardhmen, duke pretenduar se Vllaznia ka mundësi të mira në këtë sezon.
Ardit, si ndihesh pas dy gëzimeve në një ditë: katër gola në një ndeshje dhe titulli kampion i dimrit?
“Ndihem me të vërtetë mirë, emocion i madh të shënosh katër gola në një ndeshje të kampionatit shqiptar, pasi dihet që është një kampionat i vështirë. Njihet për rezultatet e ngushta mes ekipeve, kemi parë shumë ndeshje që kanë përfunduar në barazim 1-1 ose në barazim pa gola dhe nuk e kisha menduar kurrë se do të shënoja katër gola në një ndeshje. Por ia dola ti shënoja dhe pikërisht përballë Skënderbeut.
Ndihem mjaft mirë për këtë gjë dhe dua të falenderoj shokët e skuadrës, që më kanë ndihmuar gjatë ndeshjes. Dua të falenderoj dhe stafin drejtues që më ka mbështetur. Ndihem mjaft i lumtur që kemi dalur kampionë të dimrit me ekipin e Vllaznisë. Nuk e kishim menduar që në fillim që do paraqiteshim kaq mirë dhe do kapnim vendin e parë. Objektivi dihet që kanë qënë Kupët e Europës, por tani besoj se do ecim në këto ritme, të kurorëzohemi kampionë”.
Tashmë si bëhet rruga e mëtejshme, më e lehtë apo më e vështirë?
Absolutisht që rruga sa vjen dhe vështirësohet, të gjitha ekipet përforcohen, arrijnë formën maksimale. Përpara është edhe merkato, çdo ekip mund të bëjë përforcime, do të jetë një kampionat shumë i vështirë. Por mund të bëhet i lehtë, nëse ne vazhdojmë të punojmë me këto ritme, duke dhënë maksimumin në fushë. Po vazhduam kështu, besoj se do ia dalim deri në fund”.
Nga Vlora në Shkodër, duke veshur fanellën e Vllaznisë, madje duke shënuar dhe katër gola. A e ka të sigurtë Hoxhaj formacionin e Vllaznisë?
“Në radhë të parë, është një nderë për mua që mbajë veshur fanellën e Vllaznisë. Jam i lumtur që kam arritur të shënoj gola dhe të jem pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre. Mendoj se vendi në formacion nuk është asnjëherë i sigurtë. Duhet ta punosh shumë, çdo ditë që ta mbashë vendin.
Personalisht unë vija nga një dëmtim, jam rikthyer me ekipin në momentin që ka nisur kampionati. Nuk kisha shumë gjendje fizike. Kam punuar dyfish gjatë asaj periudhë që të kapja formën time. Sapo arrita formën, u përfshiva me ekipin, shënova dhe gol. Në skuadrën tonë nuk ka asnjë lojtar rezervë. Kush punon, e meriton vendin në formacion”.
Cili është urimi më i veçantë që keni marrë pas golave të shënuar?
“Kam marrë shumë urime nga shumë tifozë shkodranë. Por do të veçoja njërin prej tyre, nga një tifoz shkodran, i cili më tha: Ismail Qemali ka bërë histori me Vlorën, ti do bësh histori me Shkodrën”.
Një mendim për Flamurtarin, që ndodhet në një situatë të vështirë, ndërsa ti triumfon për një skuadër tjetër?
“Më vjen shumë keq për ekipin e Flamurtarit, pasi dihet që është ekipi im i zemrës. Unë jam profesionist, do bëj më të mirën aty ku ndodhem, por më vjen keq, që ndodhet në këtë situatë. Shpresoj të rikthehet aty ku i takon, sepse Flamurtari është një fanellë e rëndënë kampionatin shqiptar, nuk i takon të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Kam përshtypjen se do të rikthehet shumë shpejt”.