Ardit Krymi ishte protagonist me golin e tij në përballjen çerekfinale të Kupës kundër Elbasanit. Mesfushori shënoi golin e parë sezonal për Vllazninë dhe në një intervistë për “Panorama Sport” ai flet për emocionet e kësaj rrjete. 28-vjeçari analizon përballjen me verdheblutë e ndërsa thekson se skuadra shkodrane ka ende gjëra për të përmirësuar. E po ashtu ai flet edhe për objektivat sezonalë, ku 9 herë kampionët e vendit duket se “luftojnë” në çdo front.
Krymi, sa i merituar ishte kualifikimi në Kupë kundër Elbasanit?
Besoj se ishim të përgatitur që do kishim përballë një kundërshtar që kërkonte medoemos kualifikimin. Por edhe ne kishim detyrën që në shtëpinë tonë të ishim fitues. Besoj se treguam forcë karakteri duke sakrifikuar shumë deri në fund dhe them se kualifikimi ishte i merituar për ne.
Mund ta zgjidhnit më para takimin?
Mund të ndodhte që ndoshta të ishim më të përqendruar në fund të kohës së rregullt. Megjithatë ne e tentuam kualifikimin edhe në 30 minutat shtesë. Futbolli i tillë është dhe ndodh të pësosh në sekondat e fundit, por e rëndësishme ishte se kishim besimin në 100% edhe gjatë lojës që do ishim ne ata që do kualifikoheshin.
Sa ju jep moral një kualifikim i tillë?
Them se morali ka ardhur në rritje çdo javë dhe po ashtu besoj se kemi pasur moralin e duhur. Po luajmë çdo 3 ditë dhe përveç formës fizike duhet të gëzojmë edhe një psikologji shumë të mirë.
Si u ndjeve pas golit sepse pamë që festa ishte duke puthur stemën e Vllaznisë?
Ishte një gëzim shumë i madh në ato momente sepse goli erdhi në fund. Dhe mendova se ai gol mund të vuloste gjithçka. Patjetër ndihem mirë që shënova sepse nuk është se shënoj shpesh (qesh). Megjithatë çdo lojtar duhet të jetë në maksimumin e tij në këto momente ku ka ardhur sezoni dhe të kontribuojë siç duhet për objektivat e ekipit.
Çfarë duhet të përmirësojë skuadra?
Duhet të jemi të bashkuar në çdo situatë. Të punojmë çdo ditë fort në stërvitje sepse gjithmonë ke vend për të bërë më mirë. Them se së bashku mund të kalojmë çdo pengesë që na paraqitet.
A do jetë Vllaznia e aftë për një “dopietë” trofesh këtë edicion?
Ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Të jemi seriozë dhe të përqendruar në çdo 90 minutësh. Të rritemi nga dueli në duel e po ashtu të jemi me këmbë në tokë. Ende nuk kemi arritur diçka konkrete.
Si shkon Vllaznia në duelin kundër Laçit?
Ndeshja me Laçin patjetër shfaqet e vështirë për ne edhe për formën e mirë që po kalon Laçi. Por, ne hymë të përgatitur në një sfidë të tillë për të dhënë maksimumin. Kam besimin se do dalim me një rezultat pozitiv ditën e shtunë kundër kurbinasve.