Ardit Krymi, prej disa vitesh është një nga mesfushorët më të spikatur të Superiores, por në ndeshjen e fundit 28-vjeçarin e pamë në një rol të ri.

Për “Panorama Sport” ai ka folur pikërisht për ndeshjen ndaj Skënderbeut ku u aktivizua si qendërmbrojtës. Shkodrani po ashtu ndalet edhe tek atmosfera dhe ecuria e kuqebluve. Në intervistën e tij Krymi po ashtu ka edhe një thirrje për mbështetësit e 9 herë kampionëve të vendit.


Krymi, sa e rëndësishme ishte kjo fitore e fundit kundër Skënderbeut?

Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe çdo sukses. Sidomos në fushën tonë, ku nuk duhet të gabojmë, por as edhe nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Shpresoj të vijojmë në këtë rrugë, me kokën poshtë dhe me dedikimin dhe stërvitjen e duhur çdo ditë.


Mund të themi se Vllaznia ka arritur të gjejë ritmin e duhur?

Po, besoj se jemi në ritmin e duhur dhe kemi gjetur formën. Por, nuk duhet të kënaqemi me kaq sepse ka ende shumë ndeshje përpara. Duhet të jemi të përqendruar në çdo moment dhe të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje.


Kë shikon Krymi si ekipet më të forta të këtij sezoni?

Besoj se këtë sezon ka një garë më të fortë se sezonin e shkuar. Them se janë sërish të fortë Partizani dhe Egnatia. Por nuk përjashtoj as Dinamon e Elbasanin, që janë kundërshtarë direktë për “Final 4”. Kampionati është i fortë dhe ne duhet të jemi të përgatitur për çdo kundërshtar.


Udhëtoni drejt Rrogozhinës ditën e shtunë. Me çfarë synimi shkon Vllaznia?

Për ne është ndeshja e radhës pavarësisht se i dimë cilësitë dhe e vlerësojmë kundërshtarin. Ne hymë si në çdo takim me një synim, fitoren dhe marrjen e 3 pikëve. Uroj t’ia dalim edhe kësaj radhe në Rrogozhinë kundër Egnatias.