Një nga më të mirët dhe më të spikaturit në ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu ishte edhe Ardit Nikaj. Shkodrani i Skënderbeut ishte edhe autori i asistit të golit të parë shënuar nga Nasr.
Për “Panorama Sport”, ai foli për këtë sukses, duke theksuar se ishte shumë i rëndësishëm për objektivat e skuadrës bardhekuqe. Ndër të tjera, sulmuesi thekson se skuadra shikon para e po ashtu që është një kënaqësi gjithmonë kur luan në qytetin e tij.
Nikaj, sa e rëndësishme ishte kjo fitore?
Jashtëzakonisht e rëndësishme, ndoshta jetike për skuadrën tonë, sepse jemi në një pozitë ku çdo duel është një finale dhe ne duhet të jemi në maksimumin tonë çdo herë. Prandaj jam shumë i gëzuar që arritëm të merrnim këtë 3-pikësh në një fushë kaq të fortë.
Kaq e fortë ishte realisht Vllaznia në këtë ndeshje?
Patjetër që ishte e fortë dhe është, sepse jo më kot është ndër ekipet kryesuese. Ne arritëm ta goditnim, duke imponuar lojën tonë dhe rastet që na u paraqitën, arritëm t’i shënonim.
Kënaqësi apo jo të luash në “Loro Boriçi”?
Ky është qyteti im dhe ku jam rritur, kam gjithmonë kënaqësi kur kthehem, sepse jam në shtëpi. Dua t’i falënderoj të gjithë për përkrahjen dhe duartrokitjet që më shoqëruan, pavarësisht se isha në krahun e kundërshtarit (qesh).
Sa do i vlejë ky pushim ekipit?
Na duhet të qetësohemi dhe rikuperohemi, ka pasur një grumbull të madh ndeshjesh dhe besoj se pushimi na shërben mirë. Për t’u kthyer më të fortë në javët që vijojnë, ku gara do jetë akoma edhe më e egër.
Dueli i radhës një ndeshje direkte ndaj Teutës në transfertë…
Kemi kohë për ta menduar këtë ndeshje, por dua të them se ne çdo pikë e kemi të nevojshme dhe do e përgatisim siç duhet dhe për të bërë më të mirën tonë.