Sot në Durrës do të nis grumbullimi i kombëtares U-16 që do të marrë pjesë në turneun e San Marinos që zhvillohet këtë fundjavë.

Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, pjesë e kësaj kombëtareje në këtë grumbullim janë edhe tre futbollistë shkodranë.

Dy prej tyre janë pjesë e Akademisë Vllaznia, Arsen Elbasani dhe Klevis Dragaj. I treti vjen nga “Atletik Klub” dhe është sulmuesi Ardit Nikaj.

Një lojtar i cili po spikat në kampionatin e Ligës Amatore në Zonën e Shkodrës dhe jo më kot, ka përfunduar edhe në vëmendjen e trajnerit Mustedanagiç që e ka grumbulluar edhe më përpara atë.

Po kush është Ardit Nikaj? I datëlindjes 2002, ai ka nisur herët të merret me futboll dhe nën drejtimin e trajnerëve Elis
Legata dhe Elton Bungaja spikat me paraqitjet e tij.

Kemi të bëjmë me një sulmues aktualisht 1.81 i gjatë i cili luan mirë jo vetëm me këmbë por edhe në lojën në ajër.

“Kuptohet që të ftohesh në ekipet kombëtare të moshave është një kënaqësi shumë e madhe për çdo sportist dhe unë po i përjetoj me shumë emocione këto grumbullime.

Dëshira ime si e çdo sportisti është që të ecë sa më përpara dhe të ngjis shkallët e karrierës duke shpresuar që në një të ardhme të shpejtë të luaj me ndonjë ekip me emër në Europë.

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë por shpeshherë ëndërrat bëhen realitet falë punës dhe përkushtimit dhe unë do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë deri në fund”- ka deklaruar Nikaj në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport”.

Në fakt, karriera ka nisur mirë për këtë sulmues. Nga “Atletik Klub Shkodra” tek Kombëtarja U-16 dhe nëse vazhdon këtë rrugë me siguri që shumë shpejt do ta shohim në ekipe me emër.
© shkodrasport.com