Që para se Argjentina dhe Brazili të zbrisnin në fushën e lojës në “Monumental”, nga La Pazi (Bolivi) vinte lajmi për barazimin mes Bolivisë e Uruguait. Që do të thoshte kualifikim automatik për Argjentinën, kampione e botës në fuqi, për në turneun e verës së vitit 2026 në Meksikë, SHBA e Kanada.

“Albiçelestët” janë skuadra e shtatë që ka siguruar biletën për në Botëror. Dhe në fushë Argjentina e ka bërë plot stil. Nëse Brazili është marrë me fjalë e polemika para takimit, në “Monumental” ka pësuar një humbje historike. Është e vështirë t’i vendosësh emrin e duhur për humbjen 4-1, ishte një turpërim apo bërje qesharake e 5 herë kampionëve të botës.

Ishte diçka një përzierje në fakt mes të dyjave. Por më së shumti ishte një humbje historike, sepse kurrë më parë në historinë e tij Brazili nuk kishte pësuar 3 gola në pjesën e parë, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës. Argjentina, në fakt, ka shënuar në vetëm 36 minuta kur Julian Alvarez, Enco Fernandez dhe Aleksis MekAlister, teksa për t’ia vënë vulën në pjesën e dytë ka qenë një tjetër lojtar i Atletikos së Madridit, Xhuliano Simeone.

Goli i Mateus Kunja për Brazilin (2-1) duhej të ishte një shkëndijë, por që nuk ndezi kurrë, sepse pesë herë kampionët e botës ka qenë një skuadër e shuar, e shthurur, pa ide e që kanë rrezikuar të marrin edhe më shumë gola. Brazili nuk ishte në ndeshje. Veçanërisht në pjesën e parë, duke e detyruar trajnerin Dorival të bëjë tri ndryshime në interval.

Por as ato nuk ndryshuan gjë, sepse edhe në të dytën ishte Argjentina që shënoi dhe një gol të katërt, ndërsa suksesi i vetëm për Brazilian, nëse mund të quhet kështu, është që nuk pësoi edhe gola të tjerë. Në fund, Rafinja kishte gjysmë të drejtë. Po, ishte një rrahje e vërtetë, por në kahun e kundërt me Argjentinën në dëm të Brazilit e jo siç kishte deklaruar sulmuesi i Barcelonës, protagonist edhe në një sherr me portierin e Argjentinës Dibu Martinez pikërisht për deklaratat e brazilianit para ndeshjes.

Pikërisht ka qenë portieri i Aston Vilës që i është drejtuar sulmuesit të Brazilit me fjalët: “Mundohu të flasësh më pak”.

MESI – Reagimet nga të dyja kampet kanë qenë të shumta pas takimit. Natyrisht që humori ka qenë i ndryshëm. Më keq e kanë pësuar brazilianët. Si të mos mjaftonin 4 golat e pësuar, ata janë detyruar të gëlltisin dhe të gjitha kritikat e ashpra nga shtypi i tyre, por dhe ironitë e argjentinasve. Ka qenë ylli i Argjentinës, Lionel Mesi mungoi në këtë takim i dëmtuar  i cili ka postuar në profilin e tij në “Instagram” një mesazh thumbues ndaj Brazilit dhe Rafinjës.

“Kështu po, dajak brenda e jashtë”, ishte mesazhi i Leos.