Ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare, Arjan Peço, ka folur nga Zvicra rreth mënyrës së si po përjetohet kjo situatë e pazakontë atje. Në “Fan Zone” ai ka shpjeguar edhe situatën e Sionit, ku u pushua nga puna Ermir Lenjani, ndërsa paralajmëron, që situata me koronavirusin do të ndikojë të gjithë futbollin botëror.

“Edhe pse Zvicra është vend shumë i pasur, tregu i futbollit është shumë i kufizuar. Këtu klubeve u mungojnë të ardhurat, rrogat janë të larta ndaj klubet janë në vështirësi financiare. Një pjesë i kanë nxjerrë në papunësi teknike, një pjesë ia paguan klubi dhe një pjesë shteti, varet sa vendoset. Te Bazeli është 60% punëdhënësi e pjesën tjetër shteti.

Më tepër për punonjësit që nuk kanë kontrata të kufizuara kohore është vendosur kjo, sot doli ligji që edhe për këtë lloj kategorie do të bëhet papunësia teknike. Të gjithë janë në vështirësi, presidenti i Sionit është i veçantë, ndryshe nga të tjerët me vendime të çuditshme, një nga ato që ka marrë është që i ka dalë në sulm ndaj lojtarëve. Askush nuk e priste atë që ndodhi, por është fakt, i ka dhënë letrën e largimit 9 lojtarëve mes të cilëve edhe shqiptarët.

E vetmja shpresë është që u shty Europiani e ka hapësirë kohore për të luajtur, nëse qetësohet situata. Në Zvicër është situatë e komplikuar, sot doli udhëzimi shtetëror e nuk lejohen më shumë se 5 persona bashkë, dënohen e gjobiten të gjithë. Duhet pritur si evoluon situata ditë për ditë. Situata është shumë alarmante, edhe pse në Zvicër nuk janë të ngrohtë e aq social sa në Mesdhe. Flas me prindërit dy herë në ditë, kam merak se i kam në moshë.

Klubet pas kësaj situate duhet të rikuperojnë nga situata financiare, të shohin ku janë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shumë klube në Europë nuk kanë rezerva financiare, do të varen nga ndërhyrja e shtetit për të mbajtur sportin. Duhet pritur, nuk mendoj se do të ketë transferta e lëvizje të jashtëzakonshme lojtarësh”, tha Peço. /vipsport/