Java e 25-të ka dhuruar një fitore për Vllaznia U17 e cila ka mundur 2-1 në transfertë ekipin e Shënkollit, rivalin e saj kryesor për vendin e dytë në renditje. Por pavarësisht kësaj fitoreje, ekipi shkodran duket se e ka të pamundur të sigurojë play-off-in kur kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të fazës së dytë të kampionatit,

Ka qenë mesfushori Arjet Bizi protagonisti kryesor i këtij suksesi për Vllaznia U17. Ai ka shënuar dy gola shumë të shpejtë, të parin në minutën e 5-të ndërsa të dytin shtatë minuta më vonë dhe pjesa e parë do të mbyllej me këto dy gola.

Në fillimin e pjesës së dytë do të ishte Mataliaj që në minutën e 50-të do të ngushtonte shifrat për ekipin e Shënkollit dhe më pas, pavarësisht përpjekjeve të vendasve nuk do të kishte gola të tjerë.

Përfundimisht Vllaznia U17 fiton 2-1 dhe me këtë trepikësh, ajo është ngjitur në kuotën e 44 pikëve por është sërish gjashtë pikë larg Shënkollit të vendit të dytë dhe shanset për të shkuar në play off duken thuajse minimale.
© shkodrasport.com