Kishte kohë pa shënuar dhe rikthehet, madje bindshëm. Brenda 72 orëve ka shënuar dy herë duke ndihmuar Vllazninë të merrte dy fitore. Arlind Kalaja ndjehet i kënaqur për këtë gjë. Duke folur për mediat pas fitores së sotme, ai ka shprehur kënaqësinë që mbi të gjitha ndihmoi skuadrën për të marrë këtë fitore shumë të rëndësishme ndaj Kamzës. Ndërkohë, golin ia ka dedikuar familjarëve të tij dhe tifozëve shkodranë. “Më vjen mirë për ekipin që arriti një fitore.
Ishte një fitore me shumë vlera për ekipin tonë. Pastaj edhe për aspektin përsonal që shënova si në mesjavë edhe në këtë takim. Kam kaluar momente të vështira prej dëmtimeve dhe problemeve që kam patur. Por mendoj se tani i kam kaluar ato dhe ndjehem shumë mirë. Po gjej formën time dhe po ringrihem. Unë kam besuar tek skuadra dhe djemtë e ekipit. Shpresoj që të vijojmë sërish me të tjera fitore. Me Partizanin do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne në Tiranë kemi zhvilluar lojëra të bukura e kemi marrë edhe fitore. E rëndësishme është që ekipi të shënojë, por kush shënon s’ka shumë rëndësi. Golat ia dedikoj familjes time dhe tifozëve që në fakt presin edhe më shumë prej nesh”- është shprehur ai.
© shkodrasport.com