Arlind Kalaja është një nga afrimet bujshme që ka marrë skuadra e Kastriotit të Krujës gjatë merkatos së janarit. Në fakt, kalaja është i huazuar nga skuadra e Kukësit, megjithatë eksperienca e tij i shërben jo pak skuadrës krutane në betejën për mbijetesë që ka këtë sezon. Në një prononcim për “Supersport”, Arlind Kalaja është optimist dhe ndër të tjera ka pohuar:
“Nuk e kisha menduar se skuadra do të kishte një ecuri kaq të mirë, por mbi të gjitha ambienti më duket mjaft i mirë. Ne synojmë që javë pas jave duke dhënë maksimumin të marrim fitore në çdo ndeshje për të mbijetuar, – tha Kalaja, një nga pikat e forta të skuadrës krutane.
Sa i përket ndeshjes së radhës me Laçin, Kalaja ka pohuar: “Trajneri Devolli ka bërë një punë mjaft të mirë dhe është i veçantë në mënyrën se si punon dhe drejton skuadrën. Kështu që ne na duket pak edhe barazimi në çdo ndeshje. Laçi është një ekip cilësor dhe me kualitete, kështu që ne do ta vlerësojmë, por na duhet fitorja”.
Në fund, Kalaja foli edhe për objektivin mbijetesë, duke theksuar se: “Gara ka ende edhe shumë ndeshje dhe ne qoftë se vijojmë me këtë ritëm do t’ia dalim mbanë të realizojmë synimet tona. Dua të theksoj se ne jemi në një zonë të vështirë, por javët e fundit kemi treguar se ne duam që të qëndrojmë në Superiore dhe kemi ndezur rivalitetin”, – e mbylli Arlind Kalaja prononcimin e tij./vipsport/