Mejdan ZHIVANI
Armanco Cungu kërkohet nga Tirana, por “Shpresat” e presin
Emri më i lakuari këto ditë në shtypin sportiv është i trajnerit shkodran Armando Cungut. Përveç Tiranës, e cila kërkon një teknik që mund ta nxjerrë nga situata e vështirë, ku është përfshirë, duket se “nën rrogoz”, emri i ish-trajnerit të Kukësit mësohet të jetë “shënjestruar” edhe nga drejtuesit e FSHF-së për një post të lart në këtë insitutcion. Nga burime të rezervuara dhe të mirinformuara mësohet se Armando Cungu është një kandidat edhe për postin e trajnerin të ekipit kombëtar të 21-vjeçarëve, apo siç thuhet ndryshe ekipi “Shpresa”. Aktualisht këtë post e mban një emër i njohur i futbollit shqiptar në vitet 80-të, Skender Gega. Në fund të edicionit të për eleminatoret e europianit për 21-vjeçarët, nëse nuk do ta vazhdojë më tej Gega drejtimin e ekipit “Shpresa”, atëherë nga drejtuesit e FSHF-së, e kanë “piketuar” pasuesin e tij, që mendohet të jetë Armando Cungu. Deri tani nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, por projektimi është bërë tashmë. Megjithatë, drejtuesit e Tiranës po insistojnë që të mund të bëjnë “pronë” të tyre teknikun e suksesshëm shkodran në Kupat e Europës, duke drejtuar skuadrën e Kukësit. Për momentin Armando Cungu vazhdon “pushimet’ pranë familjes së tij në Shkodër, pavarësisht se i është “prishur” pak qetësia këto ditë, përmes telefonatave të ndryshme, qoftë në drejtim të Tiranës, apo edhe të detyrave të tjera.