Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka folur edhe njëherë për kandidaturën e përbashkët me Serbinë për ta organizuar Kampionatin Evropian të Futbollit për grupmoshat U21 në vitin 2027.Ky vendim i Federatës Shqiptarë të Futbollit u prit me reagime dhe kundërshtime të mëdha në Kosovë, duke e konsideruar atë si një vendim të ngutshëm.
Por, në një intervistë për emisionin “Opinion”, Duka ka thënë se bashkëpunimi erdhi për shkak se nevojiten tetë stadiume, gjë të cilën Shqipëria nuk mundi ta ofrojë si e vetme.
“Ne kemi aplikuar për të pasur Kampionatin Evropian të 21-vjeçarëve në 2027 në bashkëpunim Shqipëri-Serbi. Do të jemi kandidatë të përbashkët. Është edhe Turqia një prej kandidatëve. Duhen minimumi tetë stadiume për të organizuar një kampionat evropian”, ka thënë fillimisht Duka.
“Ne i kemi katër stadiume aktualisht, kemi “Air Albania”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçin” dhe “Kukës Arena” që është në të njëjtën kategori, kategoria e katërt ku mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare. Dhe kemi për të ndërtuar edhe tre stadiume të tjera në Vlorë, Korçë edhe Durrës”.
Ai ka shtuar se mbi të gjitha është aspekti sportiv, por se në fund të fundit duhet jetuar në paqe me njëri-tjetrin.
“Ne synojmë të organizojmë një kampionat futbolli që është sportiv, por në fund të fundit edhe në këndvështrimin politik është një gjë sportive. Në fund të fundit, duhet të jetojmë në paqe me njëri – tjetrin”, theksoi i pari i FSHF-së.