Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dha një intervistë për “Super Sport”, ku foli për temat më të nxehta të momentit në futbollin shqiptar.
Një nga debatet më të mëdha në kohët e fundit është krijimi i Ligës Profesioniste, që edhe pse në parim të gjithë janë dakord, në fund presidentët e klubeve nuk arrijnë marrëveshjen me njëri-tjetrin.
Gjithsesi Duka beson, se sezoni i ri do të fillojë me krijimin e kësaj lige. Kombëtarja është grumbulluar në Zvicër dhe presidenti po ndjek nga afër punën e kuqezinjve, teksa shfaqet optimist se Shqipëria do të kualifikohet në Evropian.
“Po përgatitemi për 2 ndeshjet e fundit para Ligës së Kombeve. Nuk është se kemi pasur një stabilitet.
Panucci ka bërë ndeshje miqësore, grumbullime, ka parë të gjithë futbollistët. Mendoj se është gati për të dhënë gjithçka në Ligën e Kombeve, më pas në eliminatore”, tha Duka.
Evropiani – “Ne do ta tentojmë Europianin dhe nga dera dhe nga dritarja.
Dera është nga kualifikueset, dhe dritarja nga Liga e Kombeve, pasi kjo e fundit është shumë e vështirë, por do ta tentojmë seriozisht hyrjen në Europian, i kemi të gjitha mundësitë.
Baza është pothuajse po ajo, po ato që kanë luajtur në Europian, por kemi edhe prurje kualitative që do e ndihmojnë skuadrën”.
Abazaj – “Kristali ka kohë që kontribuon mirë tek Luftëtari, por edhe te ekipet zinxhir të Kombëtares.
Guri gjithashtu te Kukësi. Është risi që dy futbollistë të edukuar në shkollat shqiptare, të shiten në Europë”.
Liga Profesioniste – “Libohova po e ndjek punën për ndërtimin e Ligës Profesioniste, jemi pothuajse në fund. Klubet kanë rënë dakord për krijimin e kësaj lige, dhe shpresoj që para fillimit të sezonit të ri, të marrë edhe formën juridike”.
Verdiktet e sezonit 2017-2018 – “Sezonin e kaluar të gjithë morën atë që meritonin. Të gjithë do kishin keqardhje për një klub si Vllaznia, që bie nga kategoria pas kaq shumë vitesh, aq më shumë unë.
Përsa i përket lojtarëve të huaj, është një balancë e vështirë. Aq sa janë sot në fushë, mendoj se janë mirë”. /EDS/