Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka treguar mënyrën se si do të hidhet shorti për ndeshjet në Euro 2024.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Duka thotë se nga skuadra në vazon e parë do të preferonte një përballje me Gjermaninë pasi shprehet se nuk e sheh një momentin më të mirë dhe se ne mund të bëjmë një ndeshje të mirë përballë ekipit gjerman.
Blendi Fevziu: Duka, si do të hidhet shorti për më tej?
Armand Duka: Rregullat e shortit janë të ndara në 4 vazo. Shqipëria është në vazon e dytë dhe do të kemi kundërshtarë nga një nga çdo vazo nga e para, e treta dhe e katërta. Aty nuk ka asnjë skuadër të dobët. Nëse do të nisemi me vlerësimin e skuadrave për nga historia, Shqipëria mund të konsiderohet me më pak rezultate.
Blendi Fevziu: Në vazon e parë, Gjermania, Portugalia, Franca Anglia, Belgjika dhe Spanja. Me 1 nga këto të gjashtat do të luajmë. Mos na rëntë Gjermania se me to kemi…
Armand Duka: Nga ato skuadrat që më pëlqen aty është Gjermania.
Blendi Fevziu: Bëjmë edhe ndeshjen hapëse po na ra Gjermania.
Armand Duka: Jo vetëm që bëjmë ndeshjen hapëse, por mund të luajmë më mirë futboll kundër Gjermanisë sesa kundër atyre 5 tjerave, nuk më duket në momentin më të mirë Gjermania. Ata janë shumë të forta të gjitha prandaj.
Blendi Fevziu: Ndërkohë, do të kemi 1 midis Skocisë, Hollandës, Serbisë, Sllovenisë dhe Kroacisë… Nuk besoj se ka ekipe të dobëta dhe të forta, janë të gjitha ekipet njësoj.
Armand Duka: E ke të vështirë t’i zgjedhësh dhe me dorë, kështu që çfarëdo që të sjellë shorti. Nëse do t’i zgjidhje me dorë, unë do të preferoja Gjermaninë tek vazo e parë, Slloveninë ose Serbinë tek vazo e tretë.
Blendi Fevziu: Serbinë do të preferoje? Nuk do të merrte ndonjë ngjyrim ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë?
Armand Duka: Unë po flas për futboll sepse nuk ka qenë ndonjë ekip shumë… Këtu janë të gjitha skuadra të forta.
Blendi Fevziu: Në letër, as ne nuk na kishin llogaritur.