Armando Broja ka pësuar në muajin dhjetor një dëmtim shumë të rëndë në gju dhe mbylli para kohe sezonin e tij. Një sezon ku ai pritej të afirmohej te Çelsi dhe në radhët e përfaqësueses shqiptare. Por duket se lojtari po pret me padurim të kthehet në fushë, për të treguar se vazhdon të jetë i njëjti futbollist ambicioz i cili i mahniti të gjithë në vitet e fundit me shpërthimin e tij në skenën e futbollit botëror.
Në një intervistë për “World Soccer”, sulmuesi i kombëtares shqiptare ka folur për periudhën që po kalon, rikuperimin, ambiciet që ka te Çelsi, por edhe me kombëtaren shqiptare, duke u ndalur edhe te Silvinjo dhe ëndrra për të parë kuqezinjtë në një Kupë Bote.
“Është një nder shumë i madh që drejtuesit e rinj më kanë besuar që të jem një pjesë e rëndësishme e planit të së ardhmes së Çelsit, më kanë mbështetur që të përfaqësoj klubin dhe tani është në dorën time që të shlyej këtë besim. Sapo të kthehem nga dëmtimi, ky është objektivi im më i madh afatshkurtër, që të vërtetoj këtë dhe të shfrytëzoj çdo mundësi që do të më shfaqet”, tha fillimisht Broja për të ardhmen e tij te Çelsi, me besimin që do të vazhdonte të ishte pjesë e bluve pasi të kthehej nga dëmtimi.
Ai konfirmoi se riaftësimi po vijonte me ritme të mira dhe u kishte paraprirë afateve që ishin vendosur për rikthimin në fushë në fillimin e edicionit të ardhshëm. Më pas, Broja u ndal te kombëtarja shqiptare e më saktësisht te trajneri i ri Silvinjo, duke mbështetur idetë që ka braziliani për kuqezinjtë.
“Po, kam folur dy herë me të dhe ai erdhi të më takonte këtu në Angli. Ai është një person i mirë dhe ka një vizion të qartë, të drejtpërdrejtë se ku dëshiron që të çojë skuadrën. Kjo është shumë inkurajuese. Ai ndan ambicien time për të shkuar në një Kupë Bote. Kemi cilësinë në ekip për ta arritur një gjë të tillë”, shpjegoi Broja.
Më pas, sulmuesi foli edhe për një objektiv që në fakt e ëndërron çdo futbollist, fitoren e “Topit të Artë”. “Të gjithë mendojnë se ajo do të ishte një arritje e çmendur, por unë nuk do ta përjashtoja kurrë për sa kohë që qëndroj me këmbë në tokë dhe punoj shumë. Padyshim, mua më duhet të zhvillohem më shumë dhe të bëj progres, por nuk kam dyshime se është në dorën time te arrij një objektiv të tillë”, tha ndër të tjera Broja në intervistën e tij për revistën e njohur.