Pak ditë më parë është larguar nga pankina e Vllaznisë trajneri Armando Cungu. Ai erdhi në krye të kësaj skuadre në janar të vitit 2016 dhe u largua 22 muaj më vonë. Një ecuri e cila pati jo pak problematika brenda. Në filli, ai u konsiderua si “Mesia” që zbriti në Shkodër dhe do të zgjidhte të gjitha hallet dhe problemet e kuqebluve por në fakt nuk ndodhi kështu.
Me përfundimin e sezonit 2015-16, pati shpresa për një ecuri më të mirë një sezon më vonë por në fakt, Vllaznia shpëtoi vetëm në ndeshjen e fundit pa rënë nga kategoria. Edhe sezoni aktual nuk pati ecurinë e duhur dhe prandaj zgjodhi të largohej. Normalisht që kredencialet e tij tashmë kishin rënë dhe shumëkush mendonte dhe dëshironte largimin e tij nga kjo detyrë. Po cili ka qenë bilanci i punës së tij në këtë periudhë 22 mujore në krye të ekipit shkodran? Ai e ka drejtuar Vllazninë në 61 ndeshje (kupë dhe kampionat) dhe nga to, nën drejtimin e Cungut janë fituar 21 ndeshje. Po kaq janë humbur ndërsa 19 të tjera janë mbyllur në barazim. Golaverazhi është 67-55. Siç shikohet, ecuria nuk ka qenë shumë e mbarë dhe statistikat flasin vetë për këtë gjë. Jo më kot, erdhi edhe largimi i tij nga kjo detyrë.
© shkodrasport.com