Që prej fillimit të sezonit drejton me shumë suksesin ekipin e Kukësit por sigurisht që mendjen e ka edhe tek Vllaznia, skuadra e të cilën ai ka luajtur futboll por edhe ka punuar në disa funksione të tjera si zëvendëstrajner apo drejtues i Akademisë. Armando Cungu ka pranuar të flasë për gazetën onlinë www.shkodrasport.com për ndryshimet e fundit tek klubi shkodran. Ai flet si gjithmonë “pa doreza” dhe këtë gjë ka bërë edhe këtë herë. “Ndryshimet e ndodhura së fundi tek Vllaznia kanë qenë zgjidhja e duhur për të. Bashkia më në fund, ndonëse shumë vonë, e kuptoi se bëri një gabim shumë të madh që e mori Vllazninë. Ka qenë një vit e gjysëm të shkuar krejtësisht dëm, jo vetëm pa fituar gjë, por pa lënë asnjë gjurmë në këtë drejtim, pa harruar dëmet sportive, ekonomike e me rradhë. Fakti që e ka marrë një president, për mendimin tim është shumë pozitiv sepse në fund të fundit tashmë skuadra e ka një zot dhe stafi e sportistët dinë me kë kanë të bëjnë dhe me kë kanë punë.Për rrjedhojë, edhe kërkesa e llogarisë normalisht që do të jetë shumë më e madhe se ç’ka qenë. Me Bashkinë situata ka qenë ndryshe, e them këtë madje edhe ngaqë unë kam qenë pjesë e saj ndonëse në një pozicion disi të tërhequr. Ka qenë një situatë kaotike, shumëkush i dilte për zot dhe askush nuk e dinte kush ishte i zot”- ka thënë Cungu. Ai ka vlerësuar edhe uljen në krye të pankinës shkodrane të trajnerit Bushati për të cilin gëzon respekt të veçantë dhe shprehet se ai duhej të ishte ulur më parë në këtë pozicion. “Ulja e Bushatit në pankinë si trajner ka qenë e goditur madje dua të them se kjo duhej të ishte bërë shumë më parë në kohë. E them këtë si pjesë e historisë së këtij klubi, si qytetar i Shkodrës. Bushati ka një eksperiencë të madhe dhe këtë do ta reflektojë tek skuadra. Unë personalisht kam qenë dhe jam i mendimit duhet të jenë trajnerë që kanë respekt për emrin e Vllaznisë në rradhë të parë.Sepse kam vënë re që shpeshherë janë përzgjedhë trajnerë, pa dasht me përmend emra, që e kanë konsideru thjesht me shku në punë në Shkodër pa pasë respekt për fanellën, pa ditë traditën, pa kuptuar absolutisht se çfarë kërkon qyteti dhe sportdashësit shkodranë. Këto trajnerë kanë sjellë edhe futbollistë të rëndomtë pas vetes që nuk e kanë meritu absolutisht të veshin fanellën e Vllaznisë e për rrjedhojë të të gjithë këtyre gjërave, situata ka ardhur duke u degraduar”- ka thënë Armando Cungu.

www.shkodrasport.com