Në këto ditë kanë vijuar seleskionimet te grupmoshat e reja për të evidentuar talentet e së ardhmes. Aktualisht, fokusi ka qenë te lojtarët e datëlindjes së vitit 2004, teksa trajneri i kombëtares U19, Armando Cungu në një prononcim për fshf.org thekson se është shumë e rëndësishme prania e trajnerit Edi Reja në këto seleksionime.

“E kam theksuar dhe herë të tjera që nuk ka si të mungojnë elementët cilësorë edhe në kampionatin shqiptar. Megjithatë kanë ende punë për të bërë. Sot po vëzhgojmë datëlindjet e 2004, grupin B, ose të ashtuquajturit grupi i jugut, sikurse para dy javësh kemi seleksionuar grupin e veriut, apo grupin A, gjithmonë për datëlindjet 2004.

Në këtë aspekt, mundohemi të shikojmë elementët e duhur për të krijuar një ide të qartë për sa i përket kësaj datëlindje në kampionatin shqiptar”, – tha Cungu, i cili vlerësoi edhe prezencën e trajnerit të Kombëtares, Reja dhe vëmendjen që ai po i kushton monitorimit të lojtarëve të rinj.

“Është shumë e rëndësishme prezenca e trajnerit Reja, për t’i dhënë dhe seriozitetin dhe rëndësinë e duhur strukturës së Kombëtares shqiptare U-19. Prezenca e tij është e rëndësishme për të na dhënë të kuptojmë që vijueshmëria do të jetë e garantuar për sa i përket interesit për këta djem. Prandaj, prania e tij është kuptimplotë, jo vetëm për ne si trajnerë, por edhe për sportistët”.

Jemi prezentë me seleksionimet, por gjithmonë duke ju referuar kampionatit shqiptar, sepse siç e kam theksuar dhe herë të tjera, për shkak të pandemisë jemi penalizuar në mundësinë e afrimit të lojtarëve shqiptarë që luajnë jashtë Shqipërisë.

Shpresoj që të kemi mundësi sa më shpejt për të shikuar edhe këta elementë, në mënyrë të tillë që të krijojmë një Kombëtare sa më dinjitoze, e cila nesër do t’i shërbejë edhe Kombëtares së madhe”, u shpreh Cungu.