Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, i ka bërë thirrje skuadrës që të tregohet më efikase për të ndihmuar në fazën ofensive. Në fjalët për “SuperSport”, trajneri tregoi se priste më shumë nga pjesa tjetër e skuadrës.
Për barazimin e sotëm
“Rezultati nuk i vjen rastësisht. E dominuam lojën por e dija se jemi të lodhur fizikisht pasi kishim ndeshje dhe nuk kishim mundësi të bëja ndërrime përveç Zguros dhe Rrumbullakut.
Arritëm të shënonim dhe kishim disa raste të tjera për të shënuar. Laçi erdhi vetëm njëherë te porta pasi nuk na rrezikoi asnjëherë.
E vetmja mënyrë për të ardhur te ne ishin goditjet standarde dhe shumë mirë mund t’i evitonim ndërhyrjet”.
Për paraqitjen e sulmit
“Rexhinaldo është një sulmues që njihet. Ai shpenzon shumë energji dhe kur duhet të jetë efikas, ndoshta është i lodhur pasi vrapon shumë por jam shumë i kënaqur me kontributin e tij.
Pres më shumë nga pjesa tjetër pasi nuk e zgjidh dot ndeshjen vetëm një sulmues. Mesfusha duhet të shënojë por edhe mbrojtja.
Harba kishte mundësi të na çonte në 2 ose 3 me 0. Futbolli ka një rregull që nëse nuk shënon pushon dhe të humbasësh raste të tilla normalisht ndëshkohesh. E parandjeva në stol me ndihmësit e mi”.
Sa kohë duhet për Kukësin pretendent
“Nuk e di me saktësi por kam ardhur për të bërë më të mirën dhe i kuptoj objektivat. Është vetë Kukësi që ve objektiva kushdo që vjen qoftë futbollist apo trajner.
E kam shprehur dhe them se ambicia dhe ekonomia nuk na ka munguar. Unë do të bëj punën time më të mirë dhe kemi vend për përmirësim. Duhet të gjejmë dhe një lojtar që mund të na ndihmojë për të qenë kompetitiv. Kam vërejtur që ka përmirësim por nuk është ende Kukësi që pres”.
Ndeshjet në Elbasan
“Kur je në shtëpi i njeh mirë parametrat e fushës dhe jashtë është diçka tjetër. Mungesa e tifozëve është një minus i madh dhe këtë e keni vënë re sot besoj. Sot jemi dëgjuar më shumë ne trajnerët duke bërtitur sesa tifozët dhe kjo është diçka negative për skuadrën”.
Merkato
“Të gjithë kemi dëshirë për të marrë lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Nuk jemi ekip që s’dimë të luajmë por shpërdorojmë shumë dhe këtë e treguam në Europë ku me Torpedon kemi humbur 4 raste të pastra si këtu si atje dhe kemi nevojë për të bërë ndërhyrje. Në këto ditë shpresoj të bëjmë një goditje pasi shpresa vdes e fundit.
Keqardhja është e madhe që nuk e menaxhuam lojën siç u desh pasi ekipi krijoi raste por nuk i shfrytëzoi. Ekipi duhet të dijë që edhe me lodhje të menaxhojë dhe me raste të tilla të humbura, janë mundësi të shtuara për kundërshtarin”, përfundoi Cungu. /Vipsport/