Armando Cungu ia doli që ta mbante Laçin në Superiore për sezonin e ardhshëm, por ende nuk është e qartë nëse trajneri shkodran do të jetë apo jo në stolin e kurbinasve.

Klubi nuk e ka konfirmuar trajnerin në detyrë dhe gjithçka mbetet e hapur. Në fakt, emri i Cungut ka qarkulluar si kandidat herë pas here në prapaskenë për skuadra të tjera, por gjithçka ka qenë në kuadrin e fjalëve.

Edhe vetë trajneri në fjalë nuk e ka bërë të qartë pozicionin e tij që pas ndeshjes së fundit të sezonit me Flamurtarin, ku Laçi fitoi 3-1 dhe qëndroi në elitë. Në fakt, që pas kësaj ndeshjeje, te kurbinasit ka pllakosur një qetësi totale, që shoqërohet me shumë paqartësi.

Normalisht, enigma më e madhe mbetet trajneri, pasi Cungu nuk mund të quhet i konfirmuar, përderisa nuk ka një konfirmim zyrtar për trajnerin, i cili e drejtoi këtë skuadër sezonin e fundit, duke e shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë nëpërmjet ndeshjes shtesë me Flamurtarin.
Maringlen ZHIVANI