Trajneri shkodran Armando Cungu po bën një paraqitje shumë të mirë me Kukësin e tij në këtë sezon të parë në Superligë. Në shtatët ndeshjet e deritanishme, kjo skuadër nuk njeh humbje. Kështu ka ndodhur edhe sot në takimin e luajtur në fushën e vështirë të Peqinit ndaj Shkumbinit vendas. Në fund të 90 minutave është arritur barazimi 1-1 por sipas informacioneve që vijnë nga kjo ndeshje, Kukësi ka qenë shumë më afër fitores. Ata kanë kaluar në avantazh që në minutën e 6-të me Prognin, kanë patur mundësi të shënojnë edhe 2-3 gola të tjerë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ndërkohë, ka ndikuar në lojë edhe gjykimi i njëanshëm i gjyqtarit Pashaj, të paktën kështu thonë në kampin kukësian, teksa u ka anulluar atyre edhe një gol. Në minutat e fundit të ndeshjes, Mustafaj ka barazuar për Shkumbinin. Me këtë barazim, Kukësi është ngjitur në kuotën e 11 pikëve por më interesant është fakti se bashkë me Skënderbeun dhe Tiranën, janë të vetmet skuadra që nuk kanë humbur asnjë takim deri tani. Nëse skuadra e Cungut do të kishte patur një sulmues goli, ajo do kishte të paktën edhe 3-4 pikë më shumë, pse jo edhe më tepër dhe ndoshta sot do ishte në vend të parë. Megjithatë fakti që kjo skuadër nuk njeh humbje, sigurisht që është një meritë e madhe e Armando Cungut dhe e stafit të tij.
www.shkodrasport.com