Skuadra e Kukësit e drejtuar nga trajnerët shkodranë Armando Cungu, Esat Rakiqi dhe Avenir Dani, edhe në javën e pestë të kampionatit, nuk e ka njohur shijen e humbjes. Ajo ka barazuar në fushën e vështirë të Laçit më rezultatin 1-1. Në këtë mënyrë, kukësianët e kanë pësuar golin e parë tashmë në kampionat por edhe atë me 11-metërsh, të cilin gjyqtari e ka dhënë kundër tyre në këtë ndeshje dhe ai është kthyer në gol nga kroati Buljan pikërisht në minutën e 79-të të ndeshjes. Kur u mendua se Laçi do ta fitonte këtë ndeshje, ka ardhur goli i barazimit për Kukësin me anë të Malindit në minutën e 85-të. Kronika e këtij takimi në fakt ka folur për kukësianët që kanë patur më tepër raste shënimi por të pashfrytëzuar nga sulmuesit e tyre ashtu si dhe në takimet e kaluara. Pavarësisht kësaj, barazimi në një fushë të tillë si ajo e Laçit është një sukses për këtë skuadër. Me këtë barazim, Kukësi i Cungut është ngjitur në kuotën e 7 pikëve dhe bashkë me Skënderbeun dhe Tiranën, janë të vetmet skuadra që nuk e njohin shijen e humbjes në pesë javë kampionat. Jo keq për një ekip debutues! Edhe ne dy ndeshjet e tjera te luajtur sot, ka patur vetem barazime:
Shkumbini- Kastrioti 1-1
Tomori- Skenderbeu 0-0.
www.shkodrasport.com