Duke parë mungesën e tifozëve këtë sezon, klubi i Kukësit ka vendosur që takimin ndaj Flamurtarit ta luajë në Kamzë me shpresën që të ketë tifozë, gjë të cilën e kërkoi edhe trajneri i verilindorëve Armando Cungu.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, para takimit ndaj Flamurtarit, Cungu ka folur në lidhje me dënimin që i është dhënë Arbër Çyrbjes, ndërkohë që ka komentuar edhe shkarkimin e trajnerëve të ndryshëm në Superiore.
“Ndeshja e parë? Ndeshja e parë ishte e tillë ku dominuam dhe na kushtoi një pakujdesi në goditje standarde. Jemi në situatë tjetër dhe ekipi ka ritëm tjetër. Shpresoj dhe kam bindje se do të hyjmë siç kemi hyrë gjithmonë për më të mirën. Shpresoj edhe fati të na ndihmojë pak në këtë ndeshje.
Tifozët? Shpresoj që këtë ndeshje të kemi përkrahje pasi nuk ka ekzistuar këtë sezon. Çdo ekip ka nevojë për përkrahje dhe shpresoj të jenë sa më të shumtë në numër dhe normalisht të jenë një impuls për lojtarët për të bërë diçka më tepër.
Çyrbja? Nuk kas gjë serioze për tu shqetësuar. Është një çështje e vogël disiplinore dhe klubi e ka kaluar te ekipi B për një periudhë të shkurtër dhe nuk ka gjë për t’u ndalur që ta diskutojmë.
Pres më shumë kontribut nga Çyrbja, të paktën aq sa ka dhënë te Teuta. As vetë lojtari nuk është i kënaqur me rendimentin e tij. Ai ka një ngërç momental por shpresojmë të rikthehet.
Mungesat? Këtë javë kemi pasur probleme serioze me ekipin. 5 lojtar kishin probleme fizike në ndeshjen me Laçin dhe kemi pasur pak ditë për rikuperim. Do të shohim deri nesër se çfarë mund të bëjmë.
Gjykimi? Loja ishte e ashpër ndaj Laçit, por për çudi arbitri mori vendime të tjera dhe prandaj kemi këto probleme me ekipin. Mungesat na dëmtojnë pasi janë lojtarë t rëndësishëm pasi kanë mbajtur peshën e rëndësishme. Jemi 25 lojtarë dhe të gjithë kanë mundësi për të dhënë dhe për të treguar vlerat e tyre.
Ndeshja me Flamurtarin? Unë kam theksuar se nuk hyj asnjëherë për rezultat tjetër përveç fitores. Futbolli ka çdo rezultat por ne jemi vetëm për fitore. Normal që një kampionat ka problematikat e veta.
Edhe ne ishim në vend të parë me katër fitore, por gabuam në ndeshje direkte edhe pse bëmë lojë të mirë dhe përfituan kundërshtarët. Është herët për të folur nëse kampionati është i hapur ose i mbyllur, por kam besim se deri në fund do të jetë i hapur.
Ndryshimi i trajnerëve? Kjo është modë në futbollin shqiptar prej vitesh dhe vazhdojmë të marrim trend më të fuqishëm nga kampionati në kampionat. Janë presidentët ata që do të vendosin pasi janë shefat. Jam gjithmonë në krahun e trajnerëve pasi jo pak herë bëhen “kokë turku” pa pasur faj. Gjithsesi shpresoj të jenë sa më të pakta lëvizjet.
Çfarë pret nga Kukësi? Presim përmirësim dhe kemi bërë përmirësim. Ekipi kishte problematika jo të vogla. Shoh një Kukës që luan futboll. Ende nuk kam parë një ekip që mposht Kukësin me futboll. Në shumë finalizimi aksionesh kemi lënë për të dëshiruar. Çdo ekip ka nevojë për përmirësim, por kemi pasur edhe dëmtime që nuk na lënë të kemi ekuilibër në ekip.
Golashënuesit? Edhe unë kam dëshirë dhe shpresë që të thyhet akulli pasi po shënon vetëm sulmi me Rexhinaldon, mbrojtësit dhe Uilliam. Shpresoj të shënojnë edhe mesfushorët dhe shpresoj të jetë nesër dita.
Flamurtari dhe Daja? Unë kam mik çdo trajner dhe kam raporte të mira me çdo trajner. Është njeri që duhet respektuar por edhe Flamurtari është ekip që po investon por që nuk po i kthehet investimi. Mendoj se edhe ky vit do të jetë ashtu për ta”, u shpreh Cungu. /VipSport/