Verën e kaluar ka qenë një nga kandidatët për pankinën e Vllazninë. S’e zgjodhën atë por Shpëtim Duron. Armando Cungut megjithatë I erdhi shpejt një ofertë shumë interesante, nga Kukësi, një skuadër pa shumë histori e emër. Vendosi t’I thotë “po”, duke marrë mbi shpinë edhe një rrisk jo të vogël. Megjithatë, sot pas 11 muajsh ai ndjehet krenar për punën e tij dhe suksesin e arritur me këtë skuadër. Vllaznia, skuadra e tij e zemrës ndërkohë ka lënë pas një tjetër sezon të dështuar. Armando Cungu gjen kohë të flasë për gazetën për të dy këto ekipe në një intervistë të gjatë. Ja çfarë ka thënë ai:


-Cungu, një mbyllje si s’ka ku shkon më mirë. Mundni kampionët, jeni të dytët në renditje dhe një Kukësi që shijon Europën. Çfarë do të thotë për ty si trajner I kësaj skuadre ky moment?
-Mendoj I bëmë një mbyllje të mirë kampionatit. Luanim përballë ekipit kampion të Shqipërisë dhe sigurisht që kishim egon për ta fituar këtë ndeshje. Dy ekipet dhanë më të mirën në fushën e lojës ngaqë I kishin arritur objektivat e tyre tashmë dhe kjo bëri që futbollistët të luanin lirshëm nga ana psikologjike. Pati shumë gola, lojë të bukur dhe festa në fund të ndeshjes ishte mëse e ligjshme për ne.
-Keni marrë drejtimin e Kukësit 11 muaj më parë. Nëse atë ditë dikush do t’iu kishte pyetur a do renditej Kukësi I dyti në fund të kampionatit dhe Vllaznia e gjashta, besoj që do kishit thënë “jo”?
-S’e kam imagjiuar unë por mendoj se ka imagjinuar asnjë person në Shqipëri. Them se marrja e drejtimit të Kukësit ishte një lloj aventure në fillim për mua duke marrë shumë rrisqe mbi shpinë sepse kjo skuadër nuk kishte asnjë lloj historie në Superligën shqiptare në krahasim me ekipe të tjera elitare përfshi këtu edhe Vllazninë që është një emblemë e futbollit shqiptar. Po ashtu edhe moseksperienca e kësaj skuadre në Superligë, kishte po ashtu rrisqet e veta. Por nga ana tjetër pata njëfarë ngrohje sepse pashë një seriozitet maksimal dhe një këmbëngulje për t’u admiruar të drejtueve të klubit të Kukësit me në krye presidentin Gjici për të bërë diçka të mirë dhe për të lënë një gjurmë në futbollin shqiptar. Kjo në njëfarë mënyre më ngrohu dhe më dha shpresë se ky ekip do kishte një ecuri për t’u admiruar.
-Megjithatë besoj se s’keni menduar që do renditeni të dytët apo jo?
-Të jem I sinqertë nuk më ka shkuar mendja se do ia dilnim të renditeshim në vendin e dytë në fundin e kampionatit.  Futbolli në fakt I tillë është. Por në këtë sukses të arritur mendoj se meritën kryesore e kanë patur përveç drejtuesve, edhe futbollistët. Dua të them se kam patur fatin të punoj me një grup sportistësh të mrekullueshëm, në rradhë të parë nga ana disiplinore, serioziteti në punë por njëkohësisht edhe me cilësi të mira sportive. Javë pas jave për rrjedhojë ata arritën t’I shfaqin edhe në fushën e lojës duke marrë jo vetëm rezultate por duke zhvilluar edhe lojëra shumë të bukura.
– E keni quajtur në njëfarë mënyre “rrisk” vitin e parë në krye të Kukësit. Nëse do u bëhej oferta sërish, do t’I thoshit menjëherë “po” kësaj rradhe drejtuesve të këtij klubi?
-Të them të drejtën jam paksa I turbullt në këtë drejtim. Oferta në adresën time është reale, biles nuk mendohet që të ketë trajner tjetër në stolin e Kukësit për sezonin tjetër e kjo më bën të ndihem mirë. Në takimet që kam patur me presidentin Gjici apo dhe në deklarimet e tij në media është konfirmuar qëndrimi im në krye të skuadrës, të stafit por edhe të pjesës më të madhe të sportistëve. Mendoj se është herët të vendos për këtë gjë. Dëshira ime është që të kontribuoj si trajner I kësaj skuadre edhe në dy ndeshjet e Kupave të Europës sepse është fruti I punës së bërë gjatë gjithë sezonit, pse jo të kalojmë edhe turin e parë. Pas aventurës së Kupave të Europës pastaj do mësohet për të ardhmen time. Shanset më të mëdha janë që unë të qëndroj sërish tek kjo skuadër sepse janë 11 muaj punë në krye të saj, u ambjentova me atë ekip, u ambjentova me çdo gjë, do ta kem më të lehtë. Nga ana tjetër, duhet ta pranojmë se përderisa korrektesa financiare e presidencës ka qenë në mënyrën më perfekte, do jetë një arsye më tepër për të gjithë ne për të vazhduar punën edhe sezonin tjetër, paçka se presioni ndaj nesh do jetë shumë më I madh natyrisht. Nëse jemi renditur të dytët në kampionatin e fundit, pse jo të mos shpresojmë titullin kampion sezonin e ardhshëm, kanë filluar të mendojnë në Kukës. Titull kampion është fjalë e madhe por befasitë e këtij Kukësi mund të vazhdojnë gjithsesi t’ia lëmë rrugës atë se çfarë do ndodhë.
-Sezoni I parë për ju si trajner në Superligë dhe menjëherë suksesi I parë. Mund të themi se e keni fituar “bastin” me shumë prej njerëzve që ndoshta nuk kanë besuar tek ju?
-Edhe si futbollist më parë, por edhe tani si trajner, jam munduar gjithmonë të shohë punët e mia. Të bëj atë që duhet të bëj. Nuk jam marrë shumë me njerëz, me vlerësime, me persona që kanë qenë pro apo skeptikë për punën time. I kam lënë gjithçka kohës dhe punës sepse koha është gjykatësi më I mirë për secilin prej nesh. Besoj se koha më dha të drejtë mua megjithatë kjo nuk do më pengojë fare që të bëj punën ashtu si duhet edhe në të ardhmen. Përkundrazi, nuk do të merrem fare me njerëz që ndoshta nuk ia vlen të merrem sepse duke vepruar në këtë mënyrë, mund t’I shërbej më mirë ekipit.
-Ndër bashkëpunëtorët e tjerë besoj që fjalët kryesore do jenë për Esat Rakiqin dhe Avenir Danin apo jo?
-Respekt maksimal për to. Në rradhë të parë për profesor Esatin. T’I bëj reklamë këtij njeriu të jashtëzakonshëm, besoj se nuk ia vlen sepse për të flet karriera shumë vjeçare me Vllazninë, një karrierë 40 vjeçare në trajningun shkodran dhe atë shqiptar. Një njeri I palodhur. Sot ai është në moshën 70 vjeçare dhe nuk e them për elozhe, por është më I fortë edhe se unë. Ka një vit që udhëtojmë përditë në rrugën Tiranë- Shkodër dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar nga goja e tij ankesën më të vogël apo të shfaqë shenja lodhje ndërkohë që unë ndoshta I ndjej ato. Për të gjitha këto e falenderoj për atë se çfarë ka bërë për mua, ngaqë e kam zgjedhur unë si ndihmësin tim por edhe për ekipin për atë se çfarë ka bërë në këto 11 muaj punë me të. Njëkohësisht falenderimet shkojnë edhe për shokun dhe mikun tim, Avenir Danin sepse edhe ai ka pjesën e tij të kontributit në suksesin e arritur paçka se e ndërpreu pak më herët punën.
-Për t’u rikthyer tek Vllaznia. Lamë pas edhe një sezon tjetër pa objektiva të arritura. Cila është “receta” e Cungut për këtë Vllazni pasi edhe Kukësi e nisi sezonin pa pretendime por mbërrii I dyti?
-“Recetën” në fakt ka 3-4 vjet që e kam dhanë. Në çdo takim, në çdo bisedë që kam bërë, madje edhe me presidentët, kam parasysh këtu zotin Fushaj të cilin gjej rastin ta përshëndes sepse  ka dhënë një kontribut  shumë të madh në futbollin shkodran dhe atë shqiptar. E kam thënë disa herë edhe në media dhe “receta” nëse mund ta quajmë kështu, ka qenë e thjeshtë. Duke parë se kush është çfarë Vllaznia, cili është emri I saj, faktin se çfarë nxjerr toka e Shkodrës, në fakt u gabua jo pak. U nis shpeshherë me idenë për të bërë super- ekip, për të dalë me çdo kusht kampion dhe harroi t’u jepte mundësinë djemve të vet. Ndodhi ajo që Vllaznia jo vetëm nuk mori as kupë dhe as kampionate këto vite por nuk u dha shansin futbollistëve të saj të luajnë futboll. Duke vepruar kështu, nuk arriti të kishte më një bosht me shkodranë. Prandaj zgjidhja e parë është që Vllaznia patjetër duhet të krijojë një bosht, një bërthamë të vetën shkodrane dhe pastaj duke parë edhe pikat e dobëta të skuadrës, mund të ndërhysh në dy, tre apo dhe katër pika për të marrë lojtarë të tjerë. Kështu mund të ndërtohet një ekip dhe jo të blesh 13 lojtarësh jabanxhin dhe të mos arrish asgjë me pretendimet por duke mos bërë asgjë edhe me shkodranët sepse Sinani e la futbollin, drejt asaj rruge janë edhe Beqiri e Belisha, atëherë në dorë të kujt do bjerë Vllaznia e Shkodrës!!! Por edhe kjo që them unë, do kohën e vet.  Nuk duhen vënë në presion për trofe, ta fillojë me djem të rinj por edhe duke pasë në skuadër disa lojtarë me përvojë ku të mbështeten. Vetëm kështu mund të ndërtohet një skuadër për vitet e ardhshme por pa harruar që vitin tjetër kampionati është me 12 skuadra dhe 4 bien direkt. Pra gjërat duhen marrë sa më seriozisht.
-Së fundi Cungu, në Shkodër verën e kaluar kur edhe ju ishit kandidaturë për të marrë Vllazninë, dikush tha se nuk kishit përvojën e duhur. Nëse një ditë do ju vinte një ofertë prej saj, do t’I thoshit “po” pa u menduar dy herë?
-Ata persona që kanë menduar dhe janë shprehur ashtu, besoj se sot duhet të skuqen nga turpi. Megjithatë nuk dua të merrem me njerëz që nuk kanë asnjë vlerë sepse ndoshta kështu I bëjmë reklamë më shumë sesa duhet. Unë normalisht që do të shërbej aty ku të më jepet mundësia sepse ky është profesioni im. Dëshira ka qenë jashtëzakonisht e madhe që të isha trajner I Vllaznisë sepse është nder I madh, besoj jo vetëm për mua por për çdo trajner në Shqipëri, sepse është tradita, emblema, djepi I futbollit. S’ma dhanë atë kënaqësi, pak rëndësi ka për mua. Ndoshta u nisën për të më bërë keq, por më bënë mirë. Sa I takon të ardhmes, nuk e di se çfarë do ndodhë. E thashë, kënaqësia është e madhe, por t’ia lëmë të ardhmes.
Gjergj KOLA