Lajmi i publikuar mbrëmjen e së mërkurës në gazetën www.shkodrasport.com, është marrë dhe botuar i plotë edhe në gazetën e përditshme “Sporti Shqiptar”. Një lajm i tillë që fliste për presionin që po i bëhej trajnerit të Kukësit Armando Cungu për të fituar ndeshjen e rradhës në Fier se në rast të kundërt, do shkarkohej, ka bërë jo pak bujë. Aq më tepër kur thuhej se drejtori sportiv i Kukësit Sulejman Starova po tenton që në vend të Cungut të sjellë një mikun e tij, Hasan Likën. Me t’u publikuar ky lajm, palët kanë dashur të reagojnë. Edhe mediat janë vënë në lëvizje duke dashur të konfirmojnë nëse është e vërtetë apo jo. Televizioni “SuperSport” ka qenë i pranishëm pasditen e djeshme në fushën e stërvitjes së ekipit të Kukësit dhe ka intervistuar trajnerin Armando Cungu që ne njefare menyre e ka pranuar kete gje duke pohuar: “Vërtetë këto zëra qarkullojnë prej ditësh, gjë e cila tregon se diçka nuk shkon me drejtuesit. Por asnjëherë nuk i kam dhënë rëndësi. për sa kohë jam në detyrë, kështu që do të zbatoj kontratën që kam me presidentin. Sa i takon të ardhmes time është një ekskluzivitet që i takon presidentit Safet Gjici, i arsyeshëm apo i paarsyeshëm”. Trajneri shkodran ka thënë vetëm kaq. Në brendësi të tij mund të ketë patur më shumë duf për të folur por është mjaftuar me kaq. Ndaj tij prej ditësh ka shumë presion. Analiza të gjata, kërkesë llogarie pse nuk u fitua ndaj Vllaznisë e gjëra të tjera, janë fakte që tregojnë se diçka nuk shkon. Çfarë do ndodhë nëse humbet në Fier? Me siguri që do ta shkarkojnë. Nëse nuk ndodh këtë javë, është e sigurtë javës tjetër. Marëdhënia me drejtuesit është prishur dhe pse ka ndodhur kjo pas vetëm dy javësh kampionat, këtë askush nuk mund ta thotë. Ndoshta qënia pa punë e Hasan Likës, të çon në përfundimin se diçka po sajohet.
www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Armando Cungu: Zërat për shkarkimin tim qarkullojnë prej ditësh