Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka ka bërë publike sot për herë të parë ashtu siç duhet arsyen pse institucioni që ai drejton nuk zgjodhi stadiumin e Shkodrës por atë të Elbasanit për ta rikonstruktuar për ndeshjet e kombëtares. Numri 1 i FSHF-së ka qenë sot në Shkodër për të ndjekur ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra në mes Vllaznisë dhe Juban Danjës dhe kuptohet që nuk mund të qëndronte larg pyetjes së gazetarëve për këtë çështje.
Stadiumi i Shkodrës realisht do të ishte më i përshtatshmi për Federatën Shqiptare të Futbollit, ka një kapacitet më të madh, ka një tifozllëk më të zjarrtë por për kohën e shkurtër që ishte deri në shtator për rikonstruksionin e këtij stadiumi, ai nuk bëhej gati. Duhej bërë tribuna e re e stadiumit “Loro Boriçi” dhe kjo kishte kohën e vet dhe prandaj ishte e pamundur të arrihej në kohë. Për këtë arsye për momentin zgjodhëm një stadium tjetër por kjo nuk do të thotë se do lëmë pas dore atë të Shkodrës. Kuptohet që duhet një investim më i madh dhe në të duhet të përfshihen shumë aktorë si Qeveria shqiptare, Bashkia Shkodër, Federata apo dhe institucionet tona partene, UEFA dhe FIFA. Besoj se në të ardhmen do bëhet diçka dhe do të bëhet e mundur zhvillimi i ndeshjeve të kombëtares edhe këtu”- ka thënë ai. Në fakt, pavarësisht kësaj deklarate, shkodranët duken sërish jo të bindur për arsyen e nxjerrë. Nëse do kishte ekzistuar dëshira e mirë, “Loro Boriçi” do përfshihej në rikonstruksion dhe shpejt do priste kombëtaren aty.
© shkodrasport.com