Presidenti i FSHF, Armando Duka, ka dhënë disa nga mendimet e tij në lidhje me çështjet kryesore që i takojnë atij dhe institucionit që përfaqëson, teksa ka folur në një intervistë për gazetarin e njohur sportiv, Gerti Çarçani, për disa nga arritjet e FSHF gjatë vitit 2022.
Presidenti Duka është ndalur gjatë fjalës së tij dhe në investimin kolosal të Partizanit. Ai, duke krahasuar një investim të tillë me klubet e tjera private, mendon që do ta kishin shumë të vështirë ta përballonin. Duka u shpreh se ky investimi është më i madhi privat që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri në sport, ndërsa theksoi se ai impiant ka pasur një kosto të jashtëzakonshme.
“Te Partizani është një investim madhor privat. Investimi më i madh privat që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri në sport. Në kushtet që ka Shqipëria, nuk është ai modeli. Ai impiant ka një kosto të jashtëzakonshme.
Nga FSHF është mbështetur vetëm në disa pjesë të tij. Realisht, është një investim totalisht privat i presidentit të Partizanit, Gazmend Demi. Unë mendoj që është e vështirë që një president klubi të ketë mundësi për të ndërtuar komplekse aq të mëdha. Një investim i tillë do i rrënonte klubet e tjera.
Nuk e di si Demi dhe Partizani e kanë përballuar. Në të gjithë botën, infrastruktura financohet nga fondet e shtetit. Ky është një aktivitet publik, që në një mënyrë ia kthen këto investime, ka një ndikim ekonomik, ka kursime në mjekësi. Shteti duhet ta ketë flamurin e investimeve. Ne e kemi mbështetur projektin e Partizanit.
Nuk ka klubi i Partizanit të ardhura sa për të ndërtuar një kompleks të tillë. Realisht, janë financat e presidentit Demi të marra nga bizneset e tij. Nuk janë të këshillueshme, sepse mund të krijojnë gropa të zeza në biznese. E kemi mbështetur dhe e falënderojmë shumë Gazmend Demin, sepse ai stadium është një perlë për kryeqytetin”,-tha gjatë prononcimit të tij në lidhje me investimin kolosal të Partizanit, presidenti i FSHF, Armando Duka.
Maringlen ZHIVANI