Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka marrë pjesë në takimin BE-UEFA, të zhvilluar dje në Bruksel, ku është diskutuar mbi axhendën financiare të futbollit europian nga viti 2020 e më tej.
Ky takim organizohej nga Komiteti Europian i Rajoneve dhe vlerësohet si historik nga pikëpamja e angazhimit dhe përfshirjes së BE-së në mbështetjen e futbollit, si mënyra më e drejtpërdrejtë për sigurimin e kohezionit social e shoqëror.
Komiteti Europian i Rajoneve dhe UEFA kërkojnë të ndërtojnë një urë lidhëse nëpërmjet instrumentit financiar të UEFA-s për investimet dhe Fondeve Strukturore Europiane, të cilat janë dhe pjesa më e madhe e buxhetit të qeverisë europiane të futbollit. Presidenti Duka mori pjesë në cilësinë e zv.presidentit të Komisionit “HatTrick”.
Në këtë takim u nënvizua impakti pozitiv që futbolli ka në ekonomi, socializimin e rajoneve, shëndetin publik. U diskutua shtimi i bashkëpunimit që UEFA ka me të gjitha strukturat e Bashkimit Europian.
Përmes Fondeve Strukturore Europiane synohet forcimi financiarisht jo vetëm i UEFA-s, por edhe i federatave të saj anëtare. Ky proces krijon kushtet e një bashkëpunimi me struktura të mirëfillta politikëbërëse, si Komisioni Europian, apo Komiteti Europian i Rajoneve./telesport/