Pak ditë më përpara, përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka uruar ekipin e Vllaznisë së femrave për titullin e shtatë kampion rradhazi të fituar.

Por numri 1 i futbollit shqiptar nuk është mjaftuar me kaq. Ditën e sotme, përmes një letre urimi dërguar presidentit të këtij ekipi Lazer Matija i ka shprehur atij dhe përmes tij, të gjithë pjestarëve të ekipit, i ka shprehur vlerësimet e tij maksimale për gjithë këto arritje dhe njëkohësisht i ka uruar edhe suksese në kompeticionet ndërkombëtare.

Ja çfarë shkruhet në letrën e presidentit Duka dërguar ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë dhe posaçërisht presidentit të tij Lazer Matija:

Drejtuar: z. Lazer Matija

President

KFF Vllaznia

I nderuar z. Matija,

Përfitoj nga rasti për t’i shprehur përgëzimet e mia më të sinqerta ekipit tuaj, që siguroi titullin Kampion të Shqipërisë për futbollin e femrave për herë të 7-të në histori!

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dëshiroj t’ju dërgoj urimet më të përzemërta për të gjithë pjesëtarët e këtij suksesi, lojtarët, stafi teknik, stafi mjekësor e administrativ. Të gjithë ju duhet të jeni krenarë për këtë arritje të rëndësishme.

Asgjë nuk arrihet në mënyrë rastësore, dhe triumfi juaj është tërësisht rezultati konkret i punës së palodhur, angazhimit të madh, besimit të thellë dhe shpirtit të sakrificës që keni treguar gjatë një viti të vështirë për të gjithë.

Sot është koha të festoni për momentet e paharrueshme që keni kaluar gjatë këtij sezoni . Por duke filluar nga nesër, të gjithë së bashku, duhet t’i rikthehemi punës, madje duke shtuar forcat, për t’u përmirësuar dhe rritur akoma më shumë cilësinë sportive në te mirën tuaj dhe të futbollit shqiptar.

Edhe njëherë urime dhe suksese të mëtejshme në kompeticionet e UEFA-s,

Juaji sinqerisht,

Armand Duka