Sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku më në fund e ka bërë ‘sefte’ në Indi. 32-vjeçari u bë protagonist në fitoren që ekipi i tij Mohun Bagan arriti kundër Abahani Limited me rezultatin 3-1 në shtëpi, sfidë kjo e vlefshme për AFC CUP, kupa e dytë për nga rëndësia në futbollin indian.

Në fillim ishin miqtë që shënuan të parët në minutën e 17-të, por pas 20 minutash Mohun Bagan barazoi me Kumings dhe pjesa e parë u mbyll 1-1.

Me fillimin e pjesës së dytë ekipi i Sadikut ishte më kërkues dhe në minutën e 58-të përmbysën gjithçka, por me anë të një autogoli të shkaktuar nga kundërshtarët.

Për të vulosur rezultatin në 3-1 dhe për të siguruar fitoren e ekipit të tij mendoi pikërisht Armando Sadiku në minutën e 60-të. Sulmuesi i Kombëtares arriti që të shënonte golin e tij të parë me fanellën e Mohun Bagan dhe të ndihmonte ekipin e tij në një fitore shumë të rëndësishme.