Dy futbollistët shkodranë që luajnë për Liteksin, Armando Vajushi dhe Edon Hasani, shumë shpejt mund të paisen me pasaporta bullgare. Lajmi është bërë I ditur nga njerëz pranë këtyre lojtarëve të cilët pak ditë më parë kanë dorëzuar në klub edhe disa dokumenta që iu kanë kërkuar për këtë gjë. Konfirmimin e një lajmi të tillë në fakt e ka dhënë edhe vetë Vajushi që ekskluzivisht për gazetën do të shprehej:
“Po, kjo është mëse e vërtetë. Drejtuesit e Liteksit na kanë kërkuar dokumentat e duhura për të na paisur me pasaportë bullgare dhe presim që në vazhdim t’I marrim ato”. Një lajm I tillë sigurisht që bën shumë përshtypje sepse dy lojtarët nuk kanë shumë kohë në Bullgari. Vajushi ka shkuar në janar të këtij viti ndërsa Hasani vetëm para 2 muajsh. Megjithatë përshtypja për këta dy futbollistë tek drejtuesit e klubit të Liteksit duket se është shumë e mirë dhe jo më kot ata duan t’u bëjnë pasaporta bullgare.
Arsyeja. Në pamje të parë ekziston mendimi dhe normalisht I shoqëruar me pyetjen: Pse u duhen pasaportat këtyre dy futbollistëve shqiptarë? A mos vallë bëhet fjalë për ndonjë interesim të drejtuesve të Federatës Bullgare të Futbollit për t’I marrë këto dy futbollistë me ekipet e tyre kombëtare? Këto pyetje janë mëse normale sepse për një 20 dhe një 21 vjeçar sigurisht që ka një dilemë pse u duhet kjo pasaportë. Megjithatë përgjigjen për këtë e ka dhënë për gazetën tonë, vetë Vajushi që do të shprehej: “Arsyeja e vërtetë pse drejtuesit e Liteksit më kanë kërkuar të më bëjnë me pasaportë bullgare është se ata duan të më shesin diku jashtë Bullgarisë. Interesimi duket nga skuadra të vendeve të Bashkimit Europian dhe natyrisht me pasaportë bullgare, transferimet bëhen më të lehta ngaqë quhem europian dhe jo ekstrakomunitar. Kjo është e gjithë e vërteta rreth pasaportës bullgare”. Në fakt për Vajushit kohët e fundit ka shumë interesim. Në mediat bullgare por edhe më tej, flitet për një ofertë shumë të mirë të dy klubeve zviceriane, Lucernë dhe Yong Boys. Vetë mediat bullgare janë shprehur ditët e fundit se është shumë e çuditshme sesi për një lojtar që ende nuk ka mbushur një vit tek Liteksi, ka kaq shumë oferta. Nëse për Vajushin kjo është arsyeja, për Hasanin I cili ende nuk po luan si titullar tek Liteksi, shihet ndoshta perspektiva që sezonin e ardhshëm edhe ai të ketë fatin e Vajushit dhe prandaj drejtuesit e klubit kanë dashur t’I dalin punës para për ta paisur edhe atë që tani me pasaportën e këtij vendi.
Kombëtarja. Duke marrë edhe pasaportën bullgare, nuk do ishte çudi që Vajushit t’I vinte shumë shpejt oferta për të qenë pjesë e Kombëtares së këtij vendi. Edhe Hasanit ndoshta për të luajtur që tani me Shpresat bullgare. Por ai që del kundër kësaj është pikërisht Armando Vajushi I cili në rrëfimin e tij për gazetën tonë do të shprehej: “Edhe sikur të vijë ndonjë ofertë e tillë, asnjëherë nuk do ta pranoja. Kombëtarja ime është një dhe e vetme, ajo kuq e zi, fanellën e së cilës ëndërroj ta vesh sa më parë”
Gjergj KOLA