Armando Vajushi në Superiore, lëvizje që përflitet prej ditësh, por ende nuk ka pasur marrëveshje për detaje të vogla. “Telesport” raportoi para pak ditësh për bisedimet mes shkodranit dhe presidentit Safet Gjici, i cili e dëshironte patjetër në ekip dhe e telefonoi personalisht për ta bindur.
Megjithatë, Vajushi hezitoi, jo thjesht për çështjen e pagës, por edhe për kohëzgjatjen e kontratës, sepse Kukësi dëshironte kontratë një-vjeçare, me mundësi rinovimi, diçka që nuk i shkon për shtat fantazistit, i cili shpreson që në verë të kthehet në Itali.
Edhe Partizani nuk shkoi më tej se një interesim i përciptë, për shkak se ka shumë lojtarë në fazën ofensive dhe dëshironte vetëm një sulmues që të shtonte rivalitetin për Hebajn.
Megjithatë, 27-vjeçari ka tashmë në dorë një ofertë të re, sepse e kërkon me ngulm Teuta.Kontaktet me drejtuesit e Teutës kanë qenë pozitive dhe Vajushi do të mbërrijë nesër në Tiranë, për të takuar presidentin e klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu.
Ky i fundit është i gatshëm t’i ofrojë kontratë deri në qershor Vajushit, i cili joshet pikërisht nga kjo mundësi, për të luajtur një një klub serioz dhe me skuadër cilësore, pa qenë i lidhur nga kontratë afatgjatë.
Natyrisht, janë edhe detajet financiare për të zgjidhur, por tashmë Vajushi nuk ka ndërmend të humbasë kohë, sepse nuk luan futboll prej verës së shkuar dhe dëshiron të grumbullojë sa më shumë minuta, për të treguar se është kthyer në nivel të lartë./telesport/