Futbollisti i Vllaznisë Armando Vajushi ka fituar çmimin “Topi i Artë 2011” që jepet nga Federata Shqiptare e Futbollit çdo fundviti. Ceremonia është zhvilluar pak minuta më parë dhe në konkurrencë për këtë çmim, kanë qenë Armando Vajushi i Vllaznisë dhe Orges Shehi i Skënderbeut. Votimi është bërë nga gjithë trajnerët dhe kapitenët e ekipeve të Superligës. Në fund, sulmuesi 20 vjeçar shkodran, ka grumbulluar më shumë pikë se të kolegu i tij Shehi dhe ka merituar në këtë mënyrë “Topin e Artë” të këtij viti.


Një sukses i madh për këtë lojtar që ka kaluar vërtetë një vit mëse të lumtur duke qenë protagonisti kryesor i Vllaznisë por edhe me ekipin kombëtar Shpresa, me të cilën sëfundi ka fituar edhe shiritin e kapitenit. Vajushi ka luajtur edhe një ndeshje me ekipin kombëtar të Shqipërisë, pikërisht atë ndaj Argjentinës. Vlerësimi si lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar është natyrisht një nxitje më tepër për këtë lojtar. Vajushi e ka marrë “Topin e Artë” në ceremoninë që është duke u zhvilluar tani në Tiranë, pikërisht nga duart e presidentit të FSHF-së Armando Duka.

www.shkodrasport.com