Mesfushori shkodran Armando Vajushi më në fund ka gjetur golin e parë në ndeshjet e kampionatit bullgar teksa ka shënuar dje për Liteks në fitoren e tij të thellë 5-0 ndaj ekipit Kaliakra. Goli i Vajushit ka ardhur në minutën e 80-të të ndeshjes dhe sigurisht që për lojtarin ka patur një kënaqësi të veçantë pas shënimit të tij. 20 vjeçari shkodran nuk ka qenë duke kaluar momente të mira me këtë skuadër teksa nuk ka gjetur mbështetjen që i është premtuar në momentin e firmosjes së kontratës. Ndoshta ky gol do ta ndihmojë atë për të ardhmen megjithëse Vajushi herëpashere në deklaratat e tij ka shprehur dëshirën për të lënë Bullgarinë.
Ende nuk është shumë e qartë se ku do jetë e ardhmja e tij dhe pavarësisht dëshirës për t’u kthyer në Shkodër, kjo ka shumë pak shanse të ndodhë. E rëndësishme është që Armando Vajushi ka nënshkruar golin e tij të parë në kampionatin bullgar teksa është duke luajtur si mesfushor krahu me Liteksin dhe jo si sulmues i dytë siç luante me Vllazninë.
www.shkodrasport.com