Armando Vajushi pritet që ditën e nesërme të jetë që nga minuta e parë në fushën e lojës me skudrën e tij Litex në Bullgari. Shkodrani dhe ekipi i tij ka një përballje të vështirë. Edhe pse luajnë brenda nuk e konsiderojnë aspak të lehtë sfidën me Slavia të Sofies. Këtë javë kanë një kundërshtar të fortë përballë. Vajushi pritet ta nisë në formacionin e parë. Ish sulmuesi i Vllaznisë ka shfaqur formë të mirë sportive dhe është përzgjedhur nga trajneri Stoichkov për ta nisur lojën me 11-shen e parë. Shkodrani e ka mirëpritur këtë përzgjedhje të trajnerit të tij duke i shprehur se do të jetë në tapetin e blertë për të bërë më të mirën e tij. “Akoma nuk është vendosur përfundimisht por me shumë gjasa do ta nis ndeshjen ndaj Slavia si titullarë. Natyrisht që një fakt i tillë më gëzon” – deklaron Vajushi nga Bullgaria. Deri tani ka provuar të luaj në tre ndeshje zyrtare me Litex teksa është aktivizuar me nga 30 minuta në secilën prej ndeshjeve. Ka marrë pëlqimin e tifozëve dhe stafit teknik. Ka zhvilluar lojë të mirë dhe ka qenë edhe produktiv teksa ka dhënë një asist që është shndërruar në gol duke shfaqur menjëherë aftësitë e tij.
“Kam shumë besim në vetvete se do ta shpërblej besimin që më ka dhënë trajneri. Do të bëj maksimumin në mënyrë që skuadra të fitojë. Nëse arrij të shënoj do jetë diccka shumë e bukur për mua jo vetëm për faktin se do jetë goli im i parë me Litex por edhe për të ndihmuar ekipin në gjetjen e suksesit” – thotë Vajushi. Litex aktualisht ndodhet në vendin e pestë ne kampionat me 34 pikë ndërsa Slavia e Sofies ka një pikë më pak, 33. Litex ndodhet 5 pikë larg vendin të dytë dhe 8 pikë larg vendit të parë. Vajushi bashkë me pjesën tjetër të ekipit do të përpiqet që skuadra ku bëjnë pjesë të vijojë paraqitjet pozitive në Kampionat dhe të ngjitet sa më lart në renditje për të siguruar një vend në Kupat e Europës. Shkodrani ka besim se mund të arrihet një gjë e tillë. “Nëse japim më të mirën them që do të plotësojmë objektivat që kemi. Natyrisht që është e vështirë por nuk do të dorëzohemi, do të luftojmë deri në momentin e fundit” – përfundon Vajushi.
www.shkodrasport.com