Armando Vajushi është goditja e minutave të fundit të merkatos nga skuadra e Teutës, e cila shpreson që më afrimin e sulmuesit shkodran të ketë një armë më shumë në dispozicion në tentativën e saj për të siguruar Europën e për të synuar edhe më lart. Vetë lojtari tregon se ka ardhur në Durrës me ambicie të mëdha dhe me shumë dëshirë, njëlloj si ajo që ka shfaqur ekipi durrsak për ta afruar në radhët e tij.

“Te them te drejtën kam 7 vite qe ka qenë jashtë. Kam qenë në bisedime me shumë ekipe në Shqipëri, u ktheva te Teuta se ishin të vetmit drejtues që më deshën kaq shumë dhe që në ditën kur morën vesh që dua të kthehem në Shqipëri, më morën e me thanë ‘eja me çfarë të duash që të luash te ne”, tregoi Vajushi për RTSH.

Por ai pranon se nuk ka ndër mend që të qëndrojë gjatë në vendin tonë. “Pikësynim kam që të luaj këto katër muaj, të bëj më të mirën me klubin dhe pastaj të kthehem përsëri të luaj jashtë”, shpjegoi ai.

Debutimi i tij me durrsakët mund të vijë që në takimin e radhës së tyre, sfidën për vendin e dytë me Kukësin këtë fundjavë.

“Kjo është ndeshje e vështirë por jo se është edhe ndeshja e fundit. Ne do ët bëjmë maksimumin, që të marrim maksimumin e të marrim trepikëshin. Besoj se do të jem në fushë në këtë ndeshje”, ishin fjalët e sulmuesit. /vipsport/