Ka qenë pasditen e së dielës i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi” dhe prania e tij në ndeshjen e Vllaznisë ndaj Laçit, duket se i ka dhënë fat skuadrës shkodrane. Bëhet fjalë për ish-futbollistin e saj Armando Vajushi. Edhe ai vetë ka këtë mendim teksa për gazetën online shkodrasport.com, do të shprehej: “Prania ime në stadiumin “Loro Boriçi” sa herë që luan Vllaznia rezulton me fat, çka do të thotë se edhe tani që nuk jam pjesë e saj, sërish i sjell fat skuadrës time të zemrës. Më ka ndodhur edhe sezonin e kaluar kundër Flamurtarit, ndeshje kjo që u fitua nga Vllaznia, më ndodhi edhe këtë herë ndaj Laçit.
Do kisha dëshirë të jem në shumë ndeshje prezent por nuk kam si t’ia bëj sepse luaj me skuadrën time në Bullgari dhe nuk kam pushim. Unë sapo më jepet mundësia për të qëndruar pushim, menjëherë nisem drejt Shkodrës sepse nuk mund të qëndroj larg saj”. Megjithatë Vajushi pavarësisht se Vllaznia ka fituar, nuk është kënaqur me lojën që ajo ka zhvilluar. Ai ka folur shpeshherë për mungesën e sulmuesve cilësorë dhe ka shprehur keqardhjen që nuk është pjesë e kësaj skuadre. Por për të e rëndësishme është që po luan rregullisht në formacion me Liteksin madje ka shënuar edhe tre gola në këtë kampionat për të.
www.shkodrasport.com