Armando Vajushi, lojtari i ri shkodran që është pjesë e ekipit të Liteksit në Bullgari, e sheh me nota jo shumë pozitive situatën që është momentalisht te Vllaznia. Megjithatë, në krahun tjetër, ai ka besim të plotë se mundësitë ekzistojnë për të ndërtuar një Vllazni kampione, siç po e trumbetojnë drejtuesit e saj. Në një intervistë për gazeten, ishsulmuesi i Vllaznisë, Armando Vajushi, është i të njëjtit mendim me drejtuesit e klubit, teksa shprehet se kjo skuadër duhet të mbështetet te shkodranët. Futbollisti i Liteksit në kampionatin bullgar ka folur edhe për të ardhmen e tij me këtë skuadër, por edhe për dëshirën e parealizuar, atë të mosaktivizimit të tij me ekipin përfaqësues.
Vajushi keni disa ditë që ndodheni në Shkodër, si e shikoni situatën në të cilën ndodhet sot Vllaznia?
Momentalisht nuk e shikoj si shumë pozitive situatën aktuale të ekipit. Gjithçka është në vendnumëro, madje, janë lojtarë që janë larguar nga kjo skuadër. Deri më tani nuk mund të japë askush një mendim të saktë për Vllazninë e së ardhmes.
Pra, ju jeni skeptik?
Dimë atë që është bërë, ndërsa se çfarë do të bëhet nuk dihet. Gjithsesi, unë si shkodran dhe si një ish-lojtar i Vllaznisë jam dhe mbetem i mendimit se për sezonin e ri do të ndërtohet një skuadër cilësore, ashtu siç pohojnë drejtuesit, por dhe siç e kërkon një qytet i tërë.
Çfarë do të sugjeroni?
Natyrisht që për të bërë një skuadër kampione, siç edhe po deklarohet shumë e shumë herë, duhet të bëhen goditjet e duhura në merkato. Lojtarët që do të vijnë, duhet të jenë në një nivel të kënaqshëm dhe të bëjnë diferencën në fushë. Ndërsa sugjerimi im tjetër është në sinkron me atë të klubit, që të afrojë shkodranët cilësorë që luajnë në Superiore, por edhe jashtë saj. Vllaznia me lojtarë të dalë prej saj, të cilët kanë cilësitë nga më të mirat, mund të jetë kampione. Drejtuesit e klubit duhet të bëjnë shumë për të pasur një Vllazni të tillë. Shpresoj që këtë sezon kuqeblutë të mos vijojnë të jenë në këto renditje që kanë qenë në sezonet e fundit
Pra, ju jeni në të njëjtën linjë me drejtuesit, se te Vllaznia duhet të jenë më shumë shkodranë?
Të them të drejtën më është bërë shumë qejfi kur kam dëgjuar se sezonin e ardhshëm do të jenë më shumë lojtarë nga Shkodra. Një shkodran, pa dashur të fyej askënd, e ndjen shumë peshën e kësaj fanelle. Unë e krahasoj me veten, kur kam qenë pjesë e këtij ekipi. Asokohe paguhesha vetëm 20 mijë lek të rinj në muaj dhe, kur ekipi humbiste apo barazonte, të gjithë ne që ishim vendës ndiheshim shumë keq. Ndërsa këtë nuk mund ta them për “jabanxhinjtë”, të cilët, pavarësisht shumave që merrnin, nuk e ndienin ashtu siç duhet peshën e rëndë të fanellës kuqeblu. Jam i bindur se me sa më shumë shkodranë të ketë në përbërje Vllaznia, aq edhe më e mirë do të jetë.
Pengu mesa duket mbetet mosaktivizimi me Kombëtaren…
Natyrisht që më vjen keq që nuk m’u besua një vend në formacion me ekipin kombëtar. Në stërvitje isha ndër më të mirët, megjithatë tekniku është ai që vendos dhe si profesionist do e respektoj vendimin e tij. Kombëtarja mbetet një nga dëshirat e mia. Jam i bindur se njëherë, po të më jepet ashtu siç duhet besimi, do të arrij të bëj më të mirën dhe do mbetem pjesë e formacionit të parë. Mirëpo, siç e thashë, janë të tjerë që vendosin. Mezi po pres që të më besohet dhe shpresoj që kjo të ndodhë shumë shpejt. Ndërsa, sa i përket ecurisë së përfaqësueses, mendoj se është në rrugën e duhur, por nuk duhet të gabojë në takimet e mbetura.
“Kam oferta nga Spanja, te Liteksi do kërkoj rritje rroge”
I pyetur për të ardhmen e tij dhe sezonin që mbylli me Liteksin, Vajushi deklaroi ndër të tjera se ka disa oferta nga Spanja. Mirëpo, ai bëri të ditur se, nëse do vazhdojë të qëndrojë te klubi bullgar, atëherë do kërkojë rritje rroge. “Po vazhdoj të punoj me Liteksin, ku kam edhe dy vite kontratë. Ndihem mjaft mirë, por çdo futbollist kërkon më të mirën me çdo skuadër që luan. Me këtë skuadër jam aktivizuar rregullisht si titullar, duke treguar vlerat më të mira. Tashmë në këtë periudhë kam marrë oferta nga Spanja. Menaxheri im po shikon një mundësi lëvizje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që unë do largohem me çdo kusht nga skuadra e Liteksit. Unë, nëse do të jem pjesë e këtij ekipi, do kërkoj që të më rritet paga ime vjetore, kjo nisur edhe nga kushtet që kemi në kontratë”.
Admir URUÇI