Armando Vajushi me shumë gjasa do të jetë pjesë e Vllaznisë sezonin e ri futbollistik. 20- vjeçari i skuadrës së Liteksit në kampionatin bullgar pritet të gjejë zgjidhjen e duhur për rikthimin e tij te skuadra mëmë, ndërsa më parë do të duhet t’i bindë drejtuesit bullgarë për të marrë lejekalimin. Nga burime pranë klubit mësohet se Vajushi ka kohë që kërkohet nga ana e drejtuesve të Vllaznisë, madje këta të fundit ia kanë bërë të ditur atij edhe ofertën.
Krerët kuqeblu shprehen optimistë për kalimin e tij te kuqeblutë, sigurisht kjo në formën e huazimit. Nga sa mësohet, të dy palët po bëjnë përpjekjet që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për një kalim të mundshëm, çka do të ishte pozitive për skuadrën e Duros. Kjo edhe për më tepër, pasi Vajushi është një lojtar që si drejtuesit e klubit, ashtu dhe tekniku Duro, ia njohin mirë vlerat. Por edhe për faktin se shkodranët kohët e fundit kanë vuajtur në repartin ofensiv.
Sulmuesi – Përtej dëshirës së klubit për një rikthim në Shkodër, mësohet se ka shprehur dëshirën edhe vetë Vajushi. Ky i fundit nuk ndihet mjaft mirë me jetën e tij në Bullgari, pavarësisht se me ekipin ai po kalon çaste mjaft të mira dhe vlerësimi është maksimal. Në një prononcim për “Panorama Sport” sulmuesi është shprehur se gjatë kësaj periudhe ka marrë oferta edhe nga Skënderbeu dhe Tirana. Mirëpo, sipas tij, nëse kthehet në Shqipëri, zgjedhja e parë mbetet Vllaznia. “Edhe pse jam nën kontratë me Liteksin, gjatë kësaj periudhe nuk më kanë munguar ofertat jo vetëm nga drejtuesit e Vllaznisë, por edhe Tirana e Skënderbeu. Gjithsesi, ende nuk kam vendosur. Mirëpo, nëse do të rikthehem në Shqipëri, sigurisht që zgjedhja ime e parë mbetet Vllaznia”, – ka thënë shkurtimisht lojtari. Mesa duket edhe insistimi i drejtuesve të klubit shkodran e ka luhatur edhe vetë sulmuesin që të shikojë mundësinë e një kthimi prapa. Drejtuesit shkodranë shprehen se me 80% lojtari do ta veshë fanellën e ekipit të Vllaznisë në sezonin e ardhshëm por, si gjithnjë, ata kanë dëshirë ta quajnë pjesë të tyre vetëm pas përfundimit total të marrëveshjes. Mësohet se këto ditë do të ketë të tjera lëvizje në drejtim të Bullgarisë për ta zgjidhur totalisht çështjen e kalimit ose jo të këtij lojtari në kampin shkodran.
Admir Uruçi