Një emër i njohur i futbollit shkodran, Armir Grima, aktualisht në rolin e trajnerit të Kombëtares së femrave, ka dhënë mendimin e tij për ecurinë e skuadrës së Vllaznisë, e cila mban vendin e parë, në kuotë të njëjtë pikësh me Partizanin. Në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, Grima u shpreh:

“Vllaznia është rikthyer në vendin e parë, po më shumë se kjo më gëzon fakti që është rikthyer tek lojërat e bukura. Shpresoj dhe uroj që ta mbajë deri në fund këtë pozicion”.

“Rivaliteti? Edhe Partizani po paraqitet mirë, është një skuadër e kompletuar, pavarësisht se nuk duhen anashkaluar dhe dy skuadrat e tjera(i referohet Teutës dhe Laçit). Mendoj se do të jetë një luftë e fortë dhe e bukur për fitimin e titullit kampion”.

“Tirana? Është në një moment të mirë, ka bërë ndeshje të mira, rezultat i punës që ka bërë trajneri Shehi, por do të ketë përballje me Partizanin dhe Vllazninë e ma do mendja që nuk do ia japin mundësinë për tu afruar me kreun. Unë shikoj vetëm skuadrat që janë bashkë, të afta për të luftuar për të marrë trofeun”.

“Prova e radhës për Vllazninë është Tirana? Të gjitha ndeshjet Vllaznia i ka prova, por me karaktrein dhe lojën që po bëjnë djemtë, mendoj se do e kalojnë, duke marrë në konsideratë dhe mungesat që ka skuadra bardheblu në këtë ndeshje, që janë një plus për Vllazninë”.