Dje ka prezantuar blerjen më të fundit të Vllaznisë- Vilfor Hysën. Drejtori  sportiv I klubit shkodran Armir Grima, protagonisti kryesor I merkatos kuqeblu të kohëve të fundit, është shprehur mjaft I kënaqur me atë çfarë ka realizuar. “Besoj se kjo është ndër skuadrat më të mira që ka patur Vllaznia këto vitet e fundit”-ka thënë ai. Mjafton kjo fjali për të kuptuar se deri në këto momente të gjithë janë të kënaqur me atë çfarë është arritur. Rradha është e fushës së lojës për të kuptuar konkretisht nëse gjërat do jenë po aq mirë edhe aty. Ja përgjigjet e plota të pyetjeve bëra drejtorit sportiv të Vllaznisë Armir Grima:
-Grima, një tjetër prezantim tjetër për merkaton kuqeblu…
-Ky është përforcimi I rradhës. Me Vilfor Hysën kemi arritur një marrëveshje njëvjeçare për të kontribuar për Vllazninë. Unë mendoj se ky lojtar do të na shërbejë për ecurinë tonë në sezonin e ri. Kishim kohë që ishim në bisedime me këtë lojtar dhe tashmë po bëjmë realitet firmosjen e kontratës me të. Me marrjen edhe të Hysës, besoj se skuadra është e kompletuar tashmë megjithatë nuk përjashtohet mundësia e ndonjë ndërhyrje tjetër në merkato në rast se do paraqitet nevoja.
-Me këtë që po thoni, lini hapur mundësinë e ndonjë tjetër blerje?
-Ne I kemi arritur objektivat që kishim në merkato. Trajneri Duro na kishte kërkuar tetë blerje dhe ata tashmë janë bërë realitet. Por nëse është nevoja, nëse krijohet ndonjë mundësi e mirë, pse jo, mund të ndërhyjmë sërish. Megjithatë  e përsëris, skuadra është e kompletuar dhe e gatshme për ta nisur sezonin e ri. Me këtë rast, dua të falenderoj edhe presidentin e klubit z. Lorenc Luka por edhe kryetarin e bordit drejtues të shoqërisë aksionere, z. Ritvan Troshani për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë kësaj periudhe për t’I bërë të mundur këto lëvizje. Jam I bindur se kemi bërë zgjedhjet e duhura dhe tashmë presim marrjen e fruteve të punës që kemi bërë.
-Grima, a ju duket edhe ju se është një merkato tërësisht ndryshe nga ajo e zhvilluar në muajin janar nga Vllaznia?
-Jemi nisur nga ajo shprehja që thotë se “çdo pësim bëhet mësim”. Pikërisht nga kjo, Vllaznia është munduar të mos I bëj gabimet që bëri në janar me merkaton. Jemi treguar shumë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe, nuk kemi punuar me bori për të trumbetuar atë çfarë po bënim por thjesht kemi bërë atë që duhej dhe tashmë mendoj se kemi ndërtuar një nga skuadrat më të mira që ka patur Vllaznia gjithë këto vitet e fundit. 
-Që do të thotë se ajo do tentojë fitimin e trofeve?
-Patjetër që ky do jetë njëri ndër objektivat tona. Vllaznia do jetë në garë për një vend në Kupat e Europës dhe për të qenë në tre ekipet më të mira. Duke qenë në tre ekipet më të mira, sigurisht që do jemi në luftë edhe për fitimin e trofeve.
-Së fundi, po flitet shumë për huazimin e disa futbollistëve të rinj. Konkretisht çfarë do bëhet me ta?
-Do mundohemi të bëjmë më të mirën për çdo lojtar. Sigurisht që për një ekip pretendent, ka pak hapësira për lojtarët e rinj. Ata janë të talentuar dhe Shkodrës nuk I mungojnë kurrë, ata janë e ardhmja e Vllaznisë por do jetë më mirë për ta sikur të aktivizohen në skuadra të tjera. Ne do të mundohemi t’I çojmë në skuadra ku ata do të kenë mundësi të luajnë. Emrat e lojtarëve që do huazohen besoj se do të bëhen të ditur shumë shpejt pasi të jemi konsultuar përfundimisht edhe me stafin drejtues.
Gjergj KOLA