Dy drejtuesit e lartë të Vllaznisë, administratori Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima dje kanë qenë në Federatë për t’u ankuar për gjykimin e arbitrit Kridens Meta në ndeshjen e kupës Laçi- Vllaznia. Me vete ata kanë patur edhe një shkresë zyrtare në emër të klubit ku kërkojnë dënimin maksimal të këtij gjyqtari e po ashtu kanë patur edhe kasetën filmike të ndeshjes në fjalë.
Duke folur për gazetën online www.shkodrasport.com drejtori sportiv Grima ka bërë të qartë gjithçka është biseduar me krerët e Federatës dhe po ashtu, u ka kujtuar edhe gjyqtarëve të tjerë se kush do luajë me Vllazninë, do ta pësojë si Kridens Meta që pritet të dënohet në ditët e ardhshme. Ja si është shprehur Grima për gazetën tone. -Grima, keni qenë dje në Federatë. A u mor për bazë ankesa e Vllaznisë për gjyqtarin Meta?
-Sigurisht që u mor për bazë sepse nuk kishim të bënim me një ankesë sa për të kaluar rradhën. Klubi Vllaznia ka një reputacion në këtë institucion dhe fjala e tij dëgjohet sepse nuk jemi klub që ankohemi kot edhe kur kemi raste të tilla. Ajo çfarë na ndodhi në Krujë në ndeshjen ndaj Laçit nuk mund të kalonte lehtë.
-Konkretisht, cili ishte qëndrimi I drejtuesve të këtij institucioni?
-Ata janë në pozicion asnjanës dhe kuptohet që mbledhin të gjitha faktet. Por përveç ankesës me shkrim të bërë nga klubi Vllaznia dhe kasetës me pamjet filmike të ndeshjes që ne ia ofruam dhe ata I morën për bazë, Federata ka edhe burimet e saj të informacionit. Mbi të gjitha, ka patur në atë ndeshje edhe një vëzhgues dhe nje delegat. Për këtë arsye, ato çfarë kishin shkruar ata në relacionet e tyre, përputheshin me pretendimet tona dhe kjo na e bëri më të lehtë punën tonë. Tashmë pritet mbledhja e komisionit përkatës për të marrë në diskutim këtë çështje dhe kuptohet edhe ndëshkimi I Kridens Metës që ka gabuar në këtë ndeshje, madje sipas nesh me qëllim.
-Jeni I sigurtë se do dënohet ai?
-Nga sa na u tha, nga ato çfarë kishte shkruar vëzhguesi në relacionin e tij, nga pamjet filmike dhe disa fakte të tjera, ky gjyqtar më së paku do dënohet një vit për të mos arbitruar.
-Ndjehet e shpërblyer Vllaznia nëse ai do dënohet?
-Vllaznia nuk ka sesi të ndjehet e shpërblyer sepse pikët e humbura në atë ndeshje nuk na kthehen më. Por nga ana tjetër, me dënimin e Kridens Metës do t’u kujtojmë edhe gjyqtarëve të tjerë se nuk duhet të luajnë kollaj me Vllazninë. Para se ta ndëshkojnë atë, duhet të maten mirë dhe prandaj ky është një paralajmërim I qartë për të gjithë ata. Kemi skuadrën më model në të gjitha drejtimet dhe duam edhe arbitrime model ndaj nesh.
-Po flitet për aleanca kundër Vllaznisë, për rezultate të fiksuara në kupë. I besoni ato?
-Personalisht nuk kam dëshirë t’I besoj megjithëse ditët e fundit po dëgjojmë shumë gjëra në lidhje me këto gjëra. Unë nuk dua t’I besoj se do ndodhin megjithatë të presim. E mërkura e javës së ardhshme nuk është larg.
-Para atyre ndeshjeve, është sfida e kampionatit ndaj Kastriotit. Do fitojë Vllaznia?
-Objektivi ai është, për të fituar. Sigurisht që nuk do jetë e lehtë sepse do kemi përballë një skuadër shumë të mirë si Kastrioti megjithatë besoj se Vllaznia do të arrijë t’I tregojë vlerat e saj duke fituar, e për më tepër përmes një loje të bukur, që do jetë një garanci edhe për rezultatet e ardhshme të saj. Fitorja me Kastriotin besoj se do t’I japë edhe më shumë zemër ekipit në pragndeshjen e kupës me Flamurtarin. Kam shumë besim tek suksesi dhe mendoj se mund t’ia dalim në të dy këto sfida.
Gjergj KOLA