Vllaznia luan një finale për mbi jetesën. Megjithatë, për të shtensionuar situatën dhe u krijuar ndoshta qetësinë psikologjike lojtarëve ka menduar Armir Grima.

Trajneri i Kombëtares së femrave, njekohesisht ish-portier dhe ish-drejtor sportiv i Vllaznise, e quan si një ndeshje të radhës këtë ndaj Teutës.

Ish-drejtori sportiv i klubit shkodran, që për asnjë moment nuk i është ndarë edhe Vllaznisë, shprehet me nota optimiste për situatën që aktualisht po kalon skuadra.

“Unë mendoj se skuadra po funksionin mirë në këtë pjesë të dytë të sezonit. Djemtë po japin maksimumin në fushën e lojës, duket krijuar edhe një vijimësi dhe për më tepër një besueshmëri për të arritur te rezultatet pozitive.

Gjërat deri tani mund të themi se po shkojnë mirë. Unë e them me plot gojë se takimi me Teutën nuk është as më shumë e as më pak se vetëm një përballje e radhës.

Po themi finale, por duhet që ta kemi mirë parasysh se asgjë nuk merr fund, si për mirë apo edhe për keq nga ky takim. Ka edhe shumë takime dhe shumë pikë në lojë.

Asnjë nuk sigurohet në rast se e fitojmë atë takim e po ashtu asgjë nuk mbaron për ne nëse humbasim.

Prandaj edhe stafi edhe ekipi e dinë mirë se është vetëm një takim i radhës. Unë kam besimin se me këto paraqitje që po bën skuadra, mund të arrihet edhe marrja e maksimumit në këtë takim.

E rëndësishme është që skuadra të mos dalë pa pikë”, u shpreh Grima. I pyetur se cili prej ekipeve të tjera rrezikon rënien, Grima përgjigjet:

“Përveç Vllaznisë e Teutës, janë edhe Kamza e Flamurtari në lojë. Pozitat e të dy këtyre ekipeve janë vënë në rrezik pas takimeve të fundit.

Gara do të jetë e hapur deri në fund për këto skuadra, por unë dëshiroj që Vllaznia ta mbyllë sa më shpejt që të jetë e mundur çështjen e mbijetesës”.